Ndërsa 2018-a shënon 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në mendje të vijnë mijëra refugjatë që u detyruan të largohen nga lufta dhe të vendosen në vende të ndryshme të botës.
Mes tyre ishte edhe Vesa Vuniqi e cila sot jeton në Shtetet e Bashkuara dhe është bërë pjesë e shoqërisë amerikane duke kontribuar mes të tjerash, edhe në fushën e sportit.
Vesa Vuniqi i hyri sportit të karatesë qysh në moshë të re. Ajo filloi të trajnohej në Kosovë kur ishte vetëm 9 vjeçe, ndërsa mori pjesë me ekipin e Kosovës në moshën 11 vjeçare në një kampionat karateje në Hungari.
Si shumë shqiptarë të tjerë, lufta në Kosovë do ta detyronte familjen e saj në merrte rrugën e refugjatit.
Ndërsa shfleton albumin e kujtimeve nga karriera e saj sportive, Vesa kujton edhe vështirësitë e përshtatjes në Amerikë pas traumës së shkaktuar nga lufta në Kosovë si dhe sukseset e para sportive, ëndrrën amerikane.
“Gjithçka ishte ndryshe këtu në Amerikë, duke filluar nga gjuha dhe traditat. Nuk kishim njerëz të njohur, por karateja ishte ajo që njihja. Karateja më ka ndihmuar të përshtatem në Amerikë.”
Ndërsa sporti e ndihmoi të përshtatej në jetën e re, Vesa shënoi rezultate të mira në shkollë duke u diplomuar për Bio-Kimi në Universitetin e Miçiganit dhe specializuar më tej (Master) edhe për degën Inxhinieri Bio-Mjekësore.
“Punoj për Agjencinë amerikane për Ilaçet dhe Ushqimin (FDA). Unë drejtoj grupin e ortopedisë për pajisje mjekësore. Vlerësojmë dhe aprovojmë pajisjet e reja mjekësore nëse plotësojnë kushtet për përdorim dhe daljen e tyre në treg.”
Vesa ka disa vite që jeton në Uashington ndërsa nuk i ndahet pasionit për karatenë. Një vit më parë Vesa do të arrinte të zgjidhej një nga tre femrat përfaqësuese të rajonit, që njihet si Bregu Lindor amerikan, për garat kombëtare të karatesë të zhvilluar në Kaliforni ku edhe do të fitonte dy medalje të arta në disiplinat “Kata” dhe “Kumite”. Ndërsa disa muaj më parë, Vesa do të rrëmbente medale të tjera ari. Trajneri i saj, David Ernst flet me pasion për Vesën.
“Vesa ka marrë pjesë në garat e karatesë në Kaliforni si dhe në Filadelfia në garat kombëtare. Ajo ka fituar disa medalje, përfshi vendin e parë për femra në Kumite në rajonin lindor amerikan, si dhe medalje të tjera në pjesën perëndimore të Amerikës në garat kombëtare.”
“Fitova tre medalje të arta…..Në disiplinën “Kata” në ekipore dhe individuale në disiplinën “Kumite” ku edhe fitova vendin e parë”, thotë Vesa.
Përveç dedikimit shkencor në punën e përditshme, Vesa kryen edhe funksionin e instruktores së karatesë për moshat e reja në një klub karateje në kryeqytetin amerikan. Aktualisht Vesa po stërvitet për të marrë pjesë në garat kombëtare të nëntorit që zhvillohen në Dakotën e Jugut. /VoA