Shqipëria nuk ka përmbushur çdo kusht për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian por është në rrugën e duhur. Konstatimi vjen nga një njohës i mirë i fushës siç është Knut Flekenshtajn që ka luajtur rolin e raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
“Jo ende, Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret. Pikërisht është aty edhe plani i rritjes i Komisionit Evropian, që të gjitha kriteret të përmbushen në mënyrë që Shqipëria të rezistojë në tregun e përbashkët evropian. Natyrisht që kjo kërkon kohë dhe këtë e di gjithkush sepse është një proces normal. Nga ana tjetër, duhen përfshirë më tepër në procesin integrues në BE, Parlamenti dhe shoqërinë civile”, u shpreh Knut Flekenshtajn.
I pyetur nëse Shqipëria do të jetë gati për një anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 20230 Knut Flekenshtajn tha se “nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria do të jetë gati në vitin 2030 dhe do t’i ketë përmbushur kushtet e kërkuara. Ajo që unë nuk di është se a do të jetë gati Bashkimi Evropian për të pritur Shqipërinë”.
“Shpresoj që Evropa e Bashkuar të jetë gati por nuk mund ta garantojmë sot një gjë të tillë. Sapo është zgjedhur një Parlament i ri Evropian po zgjidhet një komision i ri. Varet shumë nga shefat e qeverive anëtare që duhet të bien dakord me rregullat e lojës. Që duhet të bëjnë të mundur pranimin e vendeve të tjera”, tha Flekenshtajn.
Edhe pse i përket së majtës socialdemokrate gjermane, Flekenshtajn vlerëson veprimin e Shqipërisë me kampin e refugjatëve në ndihmë të Italisë, pasi sipas tij i jep zgjidhje problemeve të Europës.
“Nuk është një çështje e së majtës apo së djathtës por sesi duhet të zgjidhet problemi që ka Italia me refugjatët.
Ne socialdemokratët jemi shumë të kujdesshëm dhe pjesërisht kritikë me të tillë kampe që ngrihen jashtë Bashkimit Evropian.
Por për mendimin tim qeveria gjermane thotë që “të shohim një herë se çfarë do të ndodhë”. Ky qëndrim është më i mirë se ai i Britanisë së Madhe që donte t’i dërgonte njerëzit në Ruandë”, tha më tej Flekenshtajn.
Flekenshtajn në intervistën e tij këshillon që të shfrytëzohet momenti i mirë për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndryshimi i mendimit të vendeve anëtare në raport me domosdoshmërinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.