Telegrafi

Ish-punëtorët e KEK-ut kërkojnë rikthimin në punë

Dhjetëra ish-punëtorë të cilët konsiderojnë se janë pjesë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) e që kanë mbetur pa punë pas procesit të korporatizimit të KEK-ut, kanë protestuar të enjten para ndërtesës së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), duke kërkuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, që të kthehen në vendet e tyre të punës.

Sipas protestuesve, që nga procesi korporatizimit të KEK-ut në vitin 2005 mbi 60 punëtorë kanë mbetur pa punë, gjithnjë duke konsideruar se janë pjesë e KEK-ut.

Por, zyrtarët e KEK-ut thonë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për punëtorë të KEK-ut, por për punëtorët e kompanisë “Ndërtimtaria sh.a.” plotësisht e pavarur nga KEK-u dhe që ishte pronë e personave fizik që kanë qenë punëtorë të saj.

Njëri nga punëtorët protestues ka thënë për KosovaLive se qe dy vjet kanë mbetur pa punë, pavarësisht se kanë punuar mbi 6 vjet në këtë ndërmarrje.

“Jemi punëtorë të KEK-ut qysh nga viti 1953 themelues të kësaj ndërmarrje. Prej që u bë rikonstruktimi i KEK-ut kemi mbetur pa punë 64 punëtorë. Që nga pas lufta e fundit në Kosovë kemi punuar 6 vjet, por tashmë kemi mbetur pa punë dhe tashmë po bredhim rrugëve.

Nga viti 2006 jemi bërë shoqëri aksionare, por qe dy vjet kemi mbetur pa punë. Sa kemi punuar kemi fituar tenderë me vlerë milionëshe dhe atë e ka marrë KEK-u, duke na thënë se ky nuk është për ju, por juve u japim tjetër punë. Qe dy vjet kemi protestuar vazhdimisht, jemi takuar me ish-kryeministrin, Hashim Thaci, i cili na ka mashtruar me nga një kafe pa sheqer e me një gotë ujë dhe na ka thënë se duhet pritur”, ka thënë ky protestues duke mos dashur të flasë me emër.

Ai ka shtuar se tashmë është ndërruar qeveria, ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ia ka lënë këtë çështje ministrit të ri, Blerand Stavilecit, por as nga ky nuk ka asgjë.

Ndërsa, Anjeta Zeqiraj Saraqi ka thënë për KosovaLive se i kanë kryer të gjitha punët ndërtimore në KEK, ku edhe për këtë kanë pasur të gjitha mjetet nga më të lehtat deri ato më të rënda.

“Çdo punë për ndërtimtari që është dashur ta bëjmë në KEK ne e kemi kryer”, ka thënë ajo.

Ajo ka sqaruar se në këtë rast nuk bëhet fjalë për punëtorët të KEK-ut, por për punëtorët e kompanisë “Ndërtimtaria sh.a.” plotësisht e pavarur nga KEK-u dhe që ishte pronë e personave fizik që kanë qenë punëtorë të saj.

“Kjo kompani është formuar në 2006, si rezultat i procesit të korporatizimit të KEK-ut, i cili proces është mbyllur në vitin 2005. Ky proces është përfshi edhe në Strategjinë e energjisë së Kosovës për përudhën e vitit 2005 – 2015 të aprovuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Zeqiraj – Saraqi.

Ajo ka theksuar se me të gjitha kompanitë e formuara në vitin 2006, duke përfshirë edhe “Ndërtimtarinë sh.a.”, përkundër kufizimeve të Ligjit të prokurimit publik, KEK-u kishte kontraktuar blerjen e shërbimeve për dy vite sipas çmimores së pranuar nga të dy palët.

Me tej, ajo ka shtuar se asetet e KEK-ut i janë dhënë në shfrytëzim këtyre kompanive për kryerjen e shërbimeve të cilat pastaj do të bliheshin nga vet KEK-u.

“Pas përfundimit të kësaj periudhe, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme që ishin paraqitur brenda vet kompanisë si dhe shenjave të keq menaxhimit, ‘Ndërtimtaria sh.a.’ nuk ishte në gjendje të kaloi testin e konkurrencës”, ka thënë Zeqiraj Saraqi. /Kosovalive/Telegrafi/