Ish-punëtorët e ndërmarrjes së prodhimit të bllokave “IMN Kosova” kanë protestuar gjatë ditës së sotme para komunës së Prishtinës, ku kanë kërkuar kompensimin e 20 përqindëshit që thonë se u është premtuar pas privatizimit të ndërmarrjes.
Disa nga ish punëtorët kanë zhvilluar një takim me zyrtarë të komunës, pasi sipas tyre aty nuk ishte kryetari Shpend Ahmeti.
Pas takimit Gjyle Rashiti përfaqësues e punëtorëve tha se nga zyrtarët komunalë u është thënë që AKP duhet të bëjë marrëveshje me komunën dhe pastaj do të ndodh pagesa prej 20 përqind për të gjithë punëtorët.
“Mund të bëhet brenda një muaji, brenda 10 dite dhe këta thanë që sa i përket mjeteve nuk ka problem për 20 përqindëshin e punëtorëve. Vetëm me AKP-në të arrihet marrëveshje… Kërkuam takim, mirëpo takimi thanë është i kotë, nuk është problem për të caktuar një datë për të biseduar edhe me kryetarin, por duhet me AKP-në me shkrim, gojarisht jemi marrë vesh mirëpo po presim diçka me shkrim”, tha ajo.
Rashiti bëri të qartë se nëse nuk do të ketë marrëveshje në mes të këtyre dy institucioneve për pagesën e tyre, atëherë do të organizojnë protesta, por këtë herë sipas saj protesta nuk do të jetë e qetë.
“Nëse kjo nuk kryhet brenda muajit ne do të vazhdojmë me protesta, mirëpo protestat jo si kjo, po do të jenë më radikale”, u shpreh ajo.
Për 39 vjet në ndërmarrjen “IMN Kosova” kishte punuar Kimete Spanca, por e cila në vitin 2014 është larguar nga puna. E sot së bashku me ish punëtorë tjerë ajo thotë se po kërkon një të drejt që iu takon.
“Është hera e tretë që protestojmë para komunës meqë pjesa jonë e fabrikës Industria e Materialit Ndërtimor Kosova në Prishtinë, është dhënë në 2010 nga Qeveria e Hashim Thaçit i është dhënë Isa Mustafës në atë kohë si kryetar i komunës. Që atëherë është marrë një pjesë e rrugës që është ndërtuar, pastaj është marrë pjesa tjetër dhe është bërë shkolla ku nuk kanë dhënë 20 përqindëshin që është dashur për punëtorët. Tani është pjesa tjetër që këta duhet ta marrin përgjegjësi me atë vendim, po tash e 4 vite kemi dal nga puna dhe nuk është dhënë asnjë pjesë për 20 përqindëshin e punëtorëve. Tani për këtë arsye protestojmë këtu që Shpend Ahmeti duhet 20 përqindëshin e punëtorëve me qitë në AKP dhe AKP-ja me shpërnda tek punëtorët”, tha ajo.
Edhe Spanca, potencon se nëse nuk ndërmerret diçka brenda muajit, përsëri do të dalin në protesta.
Protestuesit kanë bërë të ditur se janë 250 ish punëtorë të kësaj kompanie të cilëve u takon 20 përqindëshi.
Ish punëtorët e “IMN Kosova” në qershor të këtij vitit kanë protestuar para Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndërsa edhe në prill kishin protestuar para komunës së Prishtinës me kërkesën e njëjtë. /KP /Telegrafi/