Site icon Telegrafi

Ish-punëtorët e ‘IMN Kosova’ kërkojnë që t’u paguhet 20 përqindëshi

Ish-punëtorët e ndërmarrjes “IMN Kosova” kanë protestuar para Komunës së Prishtinës dhe kanë kërkuar që komuna t’ua kryejë pagesën prej 20 për qind, që u takon pas privatizimit të ndërmarrjes.

Kryetari i Këshillit Protestues, Mustafë Krasniqi tha se 20 përqindëshi është kërkesa e tyre e vetme, për të cilën tregoi se janë duke pritur tash e sa vjet.

Krasniqi ka treguar para mediave edhe marrëveshjen të cilën AKP e ka pranuar, por që sipas tij, komuna nuk po e zbaton.

“Vetëm një kërkesë e kemi, të na paguajnë 20 përqindëshin nga privatizimi, komuna e Prishtinës n aka borxh. AKP-ja e ka kryer dokumentacionin, e ka bërë planin e marrëveshjes, nuk po e pranon. Ne duam marrëveshje që të na paguajnë paratë, sepse po presim prej vitit 2010, nuk po presim një muaj a një javë, por po presim që tetë vite e gjysmë”, ka thënë Krasniqi.

E një nga protestuesit, Emin Llalloshi, që thotë se ka qenë edhe një ndër themeluesit e kësaj ndërmarrjeje, tha se ish-punëtorët janë bërë viktima të inateve mes Shpend Ahmetit e Isa Mustafës.

“Tash Isa Mustafa e ka dhënë vendin aty që të ndërtohet shkolla në oborr të fabrikës, ne nuk i kemi thënë ta bëjnë aty. Tash ky Shpend Ahmeti me inati pse ai e ka lejuar shkollën të ndërtohet në vend të fabrikës, na jemi ra viktimë. Kjo është shumë e padrejtë”, ka thënë Llalloshi.

Ndërsa një ish-punëtor i kësaj ndërmarrjeje, Xhemajl Islami, thotë të ketë punuar për 33 vjet në këtë ndërmarrje. Ai ka thënë për KosovaPress se po kërkojnë vetëm atë që u takon, por sipas tij, udhëheqësit nuk po i marrin parasysh.

“Sot kemi dalë në këtë shi, e pesta herë që po dalim për të drejtat tona që na takojnë, askush nuk po del të na thotë diçka, janë fshehur nëpër zyre e tyre e po rrinë. Nuk ka asgjë, i kemi ngritur duart prej qeverisë, kësaj udhëheqësie, komunës e të gjithëve”, ka thënë Islami.

Lidhur me këtë kërkesë, këta ish-punonjës patën protestuar edhe në prill të këtij viti.

Ndërkaq, para protestuesve nuk doli ndonjë përfaqësues i komunës, dhe brenda një ore, ata u larguan, por me paralajmërimin se do të mbajnë edhe protesta tjera. /KP /Telegrafi/

Exit mobile version