Site icon Telegrafi

Ish-presidenti Bush ia uron fitoren Bidenit, por nuk e harron as Trumpin

Ish-presidenti George W. Bush, si një republikan, pohoi se e ka thirrur Joe Bidenin për t’ia uruar fitoren.

Kandidati demokrat ka fituar në zgjedhjet presidenciale amerikane duke e mposhtur republikanin, Donald Trump.

“Unë i dhashë urimet e mia të ngrohta dhe e falënderova për mesazhin patriotik që dha natën e kaluar,” tha Bush përmes një deklaratë për media, raporton CNN.

“Unë gjithashtu e thirra Kamala Harrisin për ta uruar për zgjedhjen e saj historike në pozitën e nënpresidentës. Megjithëse kemi dallime politike, unë e njoh Joe Bidenin si një njeri të mirë, i cili ka fituar mundësinë për të udhëhequr dhe bashkuar vendin tonë. Presidenti i zgjedhur përsëriti se edhe pse kandidoi si demokrat, ai do të punojë për të gjitë amerikanët. Unë i ofrova të njëjtën gjë edhe presidentëve Trump dhe Obama: lutjet e mia për suksesin dhe zotimin tim për të ndihmuar në çdo mënyrë që mundem”.

Bush tha se gjtihashtu e përgëzoi presidentin Trump për fushatën që e zhvilloi gjatë zgjedhjeve presidenciale.

“Dua ta përgëzoj presidentin Trump dhe mbështetësit e tij për fushatën. Ai fitoi votat e më shumë se 70 milionë amerikanëve – një arritje e jashtëzakonshme politike. Ata kanë folur dhe zërat e tyre do të vazhdojnë të dëgjohen përmes republikanëve të zgjedhur në çdo nivel të qeverisjes”, tha Bush. /Telegrafi/

Exit mobile version