Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Pejë e dënoi me 13 vjet burg ish rreshterin policor, Shefqet Kameraj, për vrasjen e Ilmi Lufajt para stacionit policor në Deçan në prill të vitit të kaluar.
Në seancën në të cilën u shpall aktgjykimi, trupi gjykues e gjeti Kamerajn fajtor për vrasje, por nuk e aprovoi cilësimin juridik të prokurorisë se vrasja ishte kryer “për motive të hakmarrjes”.
“I pandehuri Shefqet Kameraj është fajtor për shkak së ka kryer veprën penale të vrasjes andaj gjykata e gjykon me dënim me burg në kohëzgjatje prej 13 viteve, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”, tha kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi.
Kryetari i trupit gjykues tha se në aktgjykimin nuk është aprovuar vepra penale e Prokurorisë, por as nuk e ka marrë për bazë ekspertizën e psikiatrike se vepra është kryer në afekt mendor.
“E dëgjuat së gjykata nuk e ka aprovuar veprën penale të prokurorit por e ka cilësuar me vrasje. Por as për ekspertizën e mjekëve ligjor, vrasje nga afekti mendor. Kundër këtij aktgjykimi keni drejtë ankese brenda 15 dite”, tha Radoniqi.
Pas përfundimit të seancës, avokati i familjes Lufaj, Gëzim Kollçaku, tha për KALLXO.com së nuk është i kënaqur me aktgjykimin e gjykatës për dënim me burg për 13 vite ndaj Shefqet Kameraj.
Ai tha se as familjarët e Ilmi Lufaj nuk janë të kënaqur me ketë vendim dhe ndaj të njëjtit në afatin ligjore do parashtrojnë ankesë.