Site icon Telegrafi

Ish-Papa Benedikti XVI ka vdekur në moshën 95-vjeçare

Ish-papa Benedikti XVI ka vdekur në rezidencën e tij në Vatikan, në moshën 95-vjeçare, pothuajse një dekadë pasi u largua nga pushteti për shkak të shëndetit të dobët.

Ai drejtoi Kishën Katolike për më pak se tetë vjet derisa, në vitin 2013, ai u bë Papa i parë që dha dorëheqje që nga Gregori XII në vitin 1415.

Benedikti i kaloi vitet e fundit në manastirin Mater Ecclesiae brenda mureve të Vatikanit, transmeton Telegrafi.

Pasardhësi i tij, Papa Françesku tha se e kishte vizituar shpesh, raporton bbc.

Vatikani lëshoi një deklaratë ku shkruante se “Me dhimbje ju njoftojmë se Papa Emeritus, Benedikti XVI, ndërroi jetë sot në orën 9:34 në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan”.

Edhe pse ish-Papa ishte i sëmurë për disa kohë, Selia e Shenjtë tha se gjendja shëndetësore i ishte përkeqësuar shkaku i moshës.

I lindur si Joseph Ratzinger në Gjermani, Benedikti ishte 78 vjeç kur në vitin 2005 u bë një nga papët më të vjetër të zgjedhur ndonjëherë.

Për pjesën më të madhe të papatit të tij, Kisha Katolike u përball me akuza, pretendime ligjore dhe raportime të abuzimit të fëmijëve nga priftërinjtë.

Në fillim të këtij viti, ish-Papa pranoi se ishin bërë gabime në trajtimin e rasteve të abuzimit kur ai ishte kryepeshkop i Munichut midis viteve 1977 dhe 1982. /Telegrafi/

Exit mobile version