Derek Chauvin, ish-oficeri i policisë nga Minneapolis i dënuar për vrasjen e burrit me ngjyrë, George Floyd, u ther me thikë në një burg federal dhe raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Chauvin ishte filmuar për më shumë se nëntë minuta me këmbën në qafë të Floydt më 25 maj të vitit 2020. Në video, Floyd mund të shihet duke përsëritur vazhdimisht frazën “nuk mund të marr frymë”.
Chauvin u godit me thikë nga një i burgosur tjetër në një burg federal në Tucson, raportoi agjencia ap.
Byroja Amerikane e Burgjeve konfirmoi se një i burgosur u sulmua në Institucionin Federal Korrektues në Tucson rreth orës 12:30 pasdite.
FBI tha se ishte në dijeni të sulmit në burg – megjithëse nuk përmendi askënd të përfshirë në incident.
Ky është incidenti i dytë i madh në burgun federal në Tucson në pak më shumë se një vit. Në nëntor të vitit 2022, një i burgosur nxori një armë dhe u përpoq të qëllonte në kokë një vizitor.
Ndryshe, Chauvin po vuan një dënim prej 21 vjet burg për shkelje të të drejtave civile të Floyd dhe 22.5 vjet të tjera për vrasje.
Vrasja, e cila u filmua nga një kalimtar me celular, ndezi protesta kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë në mbarë botën. /Telegrafi/