Telegrafi

Ish-ndërmjetësi Cooper: Tahiri dhe Stefanoviq erdhën nervoz në dialog, edhe më nervoz Thaçi dhe Daçiq

Ish-ndërmjetësuesi i BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Robert Cooper ka treguar detaje nga nisja e procesit të dialogut në vitin 2011 në Bruksel.

Ai nga pozita e kryenegociatorit ka thënë se i ka parë të dyja palët të kenë qenë nervoz.

“Që në takimin e parë që patën nga lufta të dyja palët kanë qenë nervoz. Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri një politikane me shumë përvojë por që të dy ishin shumë nervoz. Edhe kur CatherineAshton i bëri bashkë Hashim Thaçin dhe Ivica Daçiq, ata ishin edhe më nervoz”.

“Ata ishin nervoz në mënyrë të ndryshme, Borko ishte dhënë një punë e ndyrë, që të merrej me Kosovën dhe që gjithçka mund të shkonte keq për ta. Ai ishte në Amerikë dhe i thanë “djaloshi budalla”. Kurse Edita Tahiri ishte nervoz sepse Kosova për herë të parë si shtet po ulej përballë Serbisë”, ka thënë Cooper, për Klan Kosova.

Cooper ka thënë se nganjëherë bisedimet kanë shkuar më lehtë se që është pritur.

“Jo gjithçka ishte e lehtë. Të dyja palët ishin bashkëpunuese”, ka theksuar si duke përmendur marrëveshjen për menaxhimin e kufijve.

Cooper ka thënë se ulja e Kosovës përballë Serbinë në Bruksel në vitin 2011 ka qenë tregues se ishte shtet i pavarur.

Ish-ndërmjetësuesi i parë evropian në këtë proces, ka thënë se nisja e bisedimeve ka qenë hap drejt njohjes.

“Ulja e Kosovës përballë Serbisë tregonte se ajo nuk ishte më provincë e saj. Njohja nuk është gjë e vetme, por bashkimi i të gjitha gjërave të vogla. Është e pakuptimtë që të përdoret fusnota në emër të Kosovës. Dëshmia ishte se Kosova është shtet. Kjo është çka është, e thash këtë në publik.  Çdo gjë që negociuam nga regjistri civil, doganat, janë pikë njohjeje, pra njohja është proces akumulues”.

Sa i përket dialogut, ai ka thënë se në të nuk ka çështje teknike, por politike.

“Nuk ka dy të mira, gjithçka është politikë. Nuk ka teknike dhe politike, vetëm se në disa raste janë disa çështje teknike. Çka kemi bërë në secilën marrëveshje, palët kanë bërë kompromise politike. Ndoshta nuk kanë qenë shumë të dukshme. Por organizimi i shtetit në veri është krejtësisht politike”.

Cooper ka theksuar se është qesharake që procesi i dialogut ka zgjatur për dhjetë vjet.