Ish-modelja e Playboy, Christina Carlin-Kraft, është gjetur e vdekur në dhomën e gjumit në një banesë në paralagjen Main Line të Philadelphias.
Autoritetet kanë bërë të ditur se modelja është vrarë përmes shtrëngimit në fyt dhe zënies së rrugëve të frymëmarrjes.
Trupin e pa jetë të 36-vjeçares e ka gjetur policia pas një kontrolli, ndërkohë që thuhet se ajo ka ndërruar jetë të mërkurën.
Motivi i vrasjes është akoma duke u hetuar, ndërsa policia është në kërkim të vrasësit.
Fqinjët e Christinas kanë thënë se nuk kishte më shumë se një javë që ajo ishte vendosur në banesën ku është gjetur e vdekur.
Policia është në kërkim të Andre Melton, të cilin Carlin-Kraft e kishte denoncuar në polici disa ditë më parë për vjedhje në banesën e saj.
31-vjeçari aktualisht kërkohet vetëm për vjedhje, ndërsa mediat raportojnë se ai mund ta ketë vrarë modelen për shkak të denoncimit në polici.
Gjatë karrierës si modele, Carlin-Kraft ka pozuar për revistat e njohura, si Vanity Fair, Victoria’s Secret, Playboy e Maxim. /Telegrafi/