Telegrafi

Ish-ministrja Haradinaj rekomandon MPJD-në që t’i bëjë pesë veprime kundrejt Serbisë në aspektin ndërkombëtar

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka dhënë një propozim për të pasqyruar konkretisht të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në veri.

Sipas Haradinajt, përmes MPJD-së, do të duhej që të hënën të dërgohet një dokument me instruksione, informata, dhe pozicione të qarta rreth ngjarjeve të fundit në raport me Serbinë dhe bandat e tyre kriminale në veri tek të gjithë Ambasadorët/et e RKS në botë.

Këtë e ka ndërlidhur me faktin që “meqë ambasadorët kanë kaluar verifikimin e AKI-së, ata mund të kenë edhe qasje në informata sensitive për situatën në veri – të cilat do të mund dërgohen tek ambasadorët tanë përmes komunikimit të sigurtë të MPJD-së gjithnjë me miratimin e AKI-së”.

Tutje Haradinaj shtoi se MPJD tani do të duhej të jetë në kulmin e aktivitetit e jo reaktivitetit diplomatik, për të përmbysur narrativën propaganduese e të rrejshme të Serbisë prej niveleve më të larta bilaterale e deri tek organizatat multilaterale.

Ish- ministrja, tregoi pesë veprimet që autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë në raport me Serbinë.

Duke dorëzuar demarsh diplomatik tek MPJ-të e shteteve pritëse anembanë botës përmes ambasadorëve tanë për kërcënimin flagrant të sigurisë që Serbia ka shkaktuar në veriun e Kosovës;

Duke dërguar pozicionin zyrtar të RKS-së rreth shkeljeve, mosrespektimit të marrëveshjeve, dhe rreth çështjeve të mëdha që mbajnë peng një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë tek të gjitha MPJ-të ku kemi qasje diplomatike;

Duke lobuar për rezolutë parlamentare tek deputetët e gjitha shteteve të BE-së, e cila do të parandalonte në të ardhmen ratifikimin(et) e pranimit të Serbisë si shtet anëtar i BE-së pa njohjen dejure të Kosovës në kufijtë e saj ekzistues;

Duke iniciuar dialog të ri diplomatik (përmes MPJD dhe Ministrisë së Mbrojtjes) me të gjitha shtetet anëtare të NATOs dhe lidershipin e NATOs për të nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi që do t’a zëvendësonte shkëmbimin e letrave të vitit 2013 të ish-KM Thaçi për mosdërgimin e FSK-së në veri pa bashkëveprim me KFOR-in;

Duke takuar shtetet anëtare të OKB-së përmes Ambasadës në Ëashington dhe Konsullatës në Nju-Jork për të sqaruar në detaje situatën e krijuar nga bandat kriminale të Vuçiqit, para se të depërtojë aty Serbia e UNMIKu (lexo: Rusia) me propagandën e gënjeshtrat e tyre për të ndërtuar farsën e re në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën“, shkroi Haradinaj në Facebook./Telegrafi/