Telegrafi

Ish-ministrit Ismajli i është ruajtur vendi i punës në KOSTT

Për 18 muaj Fadil Ismajli e kishte shfrytëzuar “pushimin” te Operatori i Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) për të kryer punën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, shkruan sot Koha Ditore.
Tash, pasi këtë detyrë ia dorëzoi Blerand Stavilecit, ai kthehet sërish aty ku ishte kryeshef ekzekutiv.

Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarisht në KOSTT, por nuk kanë treguar se në çfarë funksioni. Gjatë mandatit të tij prej ministri e ka pasur nën menaxhim edhe KOSTT-in si ndërmarrje publike.

Me rastin e emërimit nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli kishte bërë një marrëveshje me Bordin e KOSTT-it për ruajtjen e pozitës prej kryeshefi, duke u bazuar në nenin 41 të Ligjit të punës. /Telegrafi/