Site icon Telegrafi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i reagon Donika Gërvallës për paraqitjen e saj në Londër

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës në lidhje me paraqitjen e saj në Londër.

Ai ka kritikuar Gërvallën, duke thënë se po i ligjëron Evropës për nivel të ulët demokratik dhe vetëdijes politike, duke thënë se kjo është një fushatë antieuropiane.

Berisha tha se kjo është një fushatë e kryeministrit, Albin Kurti që e ka vazhduar ministrja Gërvalla.

“Ministrja e MPJD, Donika Gërvalla, në Londër, ka vazhduar fushatën e kryeministrit Kurti, për t’i ligjëruar Europës për nivelin e saj të ulët demokratik dhe të vetëdijës politike. Kjo fushatë antieuropiane nga zyrtarë të qeverisë së Kosovës, nuk është e panjohur në historinë tonë, një kombinim tragjik i anafalbetizmit të tyre dhe në shërbim të  ideologjisë sllavokomuniste. Armiqësimi me perendimin është një detyrë që mund ta kryejnë tash nga pozitat qeveritare”, shkruan ai në Facebook.

Ndryshe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka deklaruar të hënën në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Londër, se Kosova është përballur me kërcënime nga Serbia.

Lexo po ashtu Gërvalla në Londër: Serbia na ka kërcënuar me luftë, edhe zyrtarisht është miratuar një strategji e ideologjisë së “Serbisë së Madhe”

Megjithatë kryediplomatja kosovare ka thënë se Kosova nuk është e vetmja që po kërcënohet por që ka një përshkallëzim të retorikës nga Serbia, edhe ndaj disa vendeve tjera të rajonit.

Ndër të tjera, Gërvalla tha: “Kemi arritur në një fazë që është shumë më e rrezikshme nga sa janë të vetëdijshëm ose të gatshëm ta shohin disa, të paktën në BE”.

“Por nevojitet veprim i shpejtë e i menjëhershëm, si dhe komunikim i qartë me ata që po e kërcënojnë paqen jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rajonin tonë. Po deshëm ta shpëtojmë paqen duhet të veprojmë me mençuri dhe shpejt. Mbretëria e Bashkuara padyshim që do të jetë në anën tonë në këtë betejë për stabilitetit dhe paqe. Dhe për këtë jemi vërtet mirënjohës. Nëse jemi të suksesshëm, do të vazhdojmë me atë që duhet të jetë preokupimi ynë kryesor: bashkëpunimi për të mirën e vendeve tona dhe të qytetarëve tanë”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version