Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, është liruar nga akuzat për mosdeklarim të pasurisë.
Hyseni akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Aktgjykimi ndaj Hysenit u shpall të martën nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e këtij institucioni, Mirlinda Gashi.
“I akuzuari S.H është liruar nga akuza, pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar”, ka thënë Gashi.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Hyseni para trupit gjykues pati deklaruar se nuk ka pasur dashje ose qëllim fshehjen e automjetit në emër të bashkëshortes së tij. /Telegrafi/