Ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-prokurori Mihajlo Manevski ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kundër pesë zyrtarëve të qeverisë për rastin “Bechtel dhe Enka”.
Zyrtarët e paditur nga Manevski janë: kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrat Artan Grubi dhe Bojan Mariçiq, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski dhe drejtori i Ndërmarrjes së rrugëve publike Ejup Rustemi. Siç shkruhet në kallëzimin e paraqitur penal, personat e përmendur kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga paragrafi 5 i nenit 353 të Kodit Penal, njofton “Shenja”.
Sipas këtij neni, personat i kanë shkaktuar dëm të madh material buxhetit të Republikës së Maqedonisë, për çka parashikohet dënim me burg prej së paku 5 vjet ose maksimumi 20 vjet.
Në dosjen e kallëzimit penal prej 27 faqesh, Manevski jep shumë detaje për rastin, për të cilin fillimisht duhet të vendosë kreu i Prokurorisë Publike të Shkupit, Gavril Bubevski, i cili mund ta zbatojë, ta refuzojë ose t’ia kalojë Prokurorisë së Përgjithshme.
Manevski ishte ministër i Drejtësisë për gati një dekadë të tërë në kabinetin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.