Ambientalisti i njohur francez dhe ish-ministri i Ekologjisë së Francës, Nicolas Hulot përballet me akuza për përdhunim dhe abuzim seksual pasi disa gra, në një dokumentar të transmetuar në kanalin Envoye, deklaruan se ai i kishte përdhunuar.
Hulot i mohoi akuzat dhe theksoi se ata po gënjejnë. Ai gjithashtu njoftoi tërheqjen nga jeta publike.
Prokurorja publike, Laura Beccuau tha se një hetim paraprak është nisur në lidhje me akuzat. Megjithatë, hetimi nuk ka gjasa të dërgojë në akuza formale sepse përdhunimet e supozuara kanë ndodhur jashtë afatit të prokurorisë, raporton theguardian.
Claire Nouvian, Sylvia, Cecile dhe një që nuk donte të zbulonte identitetin e saj pretendojnë se ishin përdhunuar midis viteve 1989 dhe 2001.
Hulot u akuzua fillimisht prej Pascale Mitterrand, mbesa e presidentit të ndjerë socialist, François Mitterrand, për përdhunim në vitin 2017.
Ish-ministri nuk pranoi të dilte para kamerave, por në një bisedë telefonike tha se “Ju e dini shumë mirë që fjala ime do të jetë kundër tyre dhe ne e dimë që gratë sot janë të shenjta, nuk e kam detyruar askënd të bëjë asgjë në jetën time”. /Telegrafi/