Telegrafi

Ish-ministri i Arsimit: Fakultete për çdo katund, kjo na ka sjellë në këtë situatë

Ish-ministri i Arsimit, Rexhep Osmani, ka thënë se nëse kombet duan të shkojnë përpara, duhet të lartësojnë çështjen e arsimit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” në të cilin është diskutuar për dështimin në testin PISA, ka shtuar se ndryshimet duhet të bëhen në të gjithë politikat e arsimit.

“Duhet të bëhet një ndryshim rrënjësor në të gjitha strukturat që merren me çështjen e arsimit, nuk është çështje e vetëm një individi apo dy. Mendoj se duhet të bëhet një task-forcë e arsimit që Qeveria e Kosovës duhet ta ndërtojë atë dhe me e pa se ku janë brezat e tonë dhe kah po shkojnë ata”, ka deklaruar Osmani.

Ai tutje pati kritika edhe për kolegjet private.

Lexo po ashtu Salihaj: Qeveria Kurti e ka zvogëluar buxhetin për arsim

“Ne kemi krijuar fakultete nëpër krejt katunet, kushtimisht po e them, kemi hapur institucione private të biznesit më të ndytë që ekziston në Evropë, ministrja e Finlandës thotë që arsimi nuk është çështje e biznesit, nuk është biznes, s’ka private”, ka thënë ish-ministri.

Si zgjidhje për këtë ai e ka përmendur edhe testimin e mësimdhënësve.

“Jo t’i qesim nga puna, por t’i trajnojmë, t’i testojmë sepse ata po e përgatisin nxënësin. Duhet me e pa se ku janë arritjet e reja tash. Ndonëse ata po rezistojnë me u vlerësu (mësimdhënësit), nuk janë shteti, ata janë në shërbim të shtetit, janë në shërbim të publikut, shkolla nuk është shtëpi private, e as e arsimtarit e as e drejtorit të shkollës”, ka thënë Osmani.

Testi PISA 2022 është mbajtur nga data 25 prill deri më 20 maj të vitit 2022 dhe janë testuar 6027 nxënës 15-vjeçarë, nga 229 shkolla.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.

Në vitin 2018, Kosova është ranguar e treta nga fundi i listës së rezultateve, nga 79 shtete pjesëmarrëse. Me 353 pikë në lexim, 366 pikë në matematikë dhe 365 pikë në shkencë.