Site icon Telegrafi

Ish-ministri Admirim Aliti reagon ndaj BDI-së se e kanë bllokuar vazhdimisht ligjin për përfaqësim të drejtë

Ish-ministri i MSHIA, Admirim Aliti, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të BDI-së, duke i cilësuar si “fake news” dhe “spin”.

Aliti ka sqaruar se gjatë mandatit të tij ka theksuar nevojën e një mekanizmi për përfaqësim të drejtë të komuniteteve, dhe derisa të krijohet një ligj i posaçëm për përfaqësim adekuat, vegla e balancuesit duhet të qëndrojë.

“Si ministër i MSHIA, në të gjitha daljet e mia publike, kam theksuar një gjë të qartë: është e domosdoshme të kemi një mekanizëm që siguron përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve, dhe derisa nuk kemi mekanizëm më të mirë (psh Ligj të posaçëm për përfaqësim adekuat) – vegla balancuesi duhet të qëndrojë”, tha Aliti.

Aliti shtoi se ekipi i tij kishte përgatitur Ligjin për nëpunësit administrativ, i cili ishte bllokuar vazhdimisht nga BDI. Ligji synonte mbajtjen e balancuesit dhe ndalimin e keqpërdorimeve përmes ndryshimit të nacionalitetit. “BDI, gjatë 6 muajve të fundit të mandatit tim si ministër, vazhdimisht ka bllokuar këtë ligj për arsye që vetëm ata i dinë,” shtoi ai.

Ai gjithashtu theksoi se draft strategjitë ishin në diskutim publik me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe të jashtëm, dhe se asnjë draft nuk mund të konsiderohej i miratuar nga ministri. Aliti përfundoi duke kritikuar BDI-në për miratimin e strategjisë që rekomandon largimin e balancuesit, pa ofruar një zgjidhje të qartë për zëvendësimin e tij, duke rënë nën presionin e LSDM-së.

Exit mobile version