Katër ish ministra të Punëve të Jashtëm të Shqipërisë, Greqisë, Qipros dhe Bullgarisë i bënë thirrje Bashkimit Evropian që menjëherë të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Sipas Agjencisë së pavarur së gazetarisë të Ballkanit, ish ministrat Ditmir Bushati, Nikos Kotzias, Janis Kasulindis dhe Daniel Mitov i bënë thirrje Bashkimit Evropian të mos zgjasë bisedimet me Shkupin dhe Tiranën për shkak të kërkesave të disa vendeve anëtare, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Komisioni Evropian më 29 maj e paraqiti planin e vet për politikën e zgjerimit të BE-së më raporte të përshtatshme për vendet. Bashkimi Evropian e përsëriti rekomandimin e Këshillit të hap bisedimet për zgjerim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në bazë të përparimit të arritur”, thuhet në kumtesën e ministrave.
Ata kërkojnë nga vendet anëtare të BE-së të mbështesin rekomandimet e KE-së për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se procesi për anëtarësim jep më shumë mundësi për avancim të demokracisë, zhvillimit të shoqërisë dhe ekonomisë dhe garantim të të drejtave të qytetarëve në secilin vend.
“Rritja ekonomike dhe shoqërore e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën e tyre drejt BE-së fuqishëm do të kontribuojë për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të mediave të të dy vendeve”, thuhet në kumtesën e përbashkët.
Ish shefat e diplomacive të Shqipërisë, Greqisë, Qipros dhe Bullgarisë në dokument cekin se “të gjitha vendet anëtare të BE-së, para se gjithash Gjermania dhe Franca, duhet të tregojnë përgjegjësi për të ardhmen e BE-së dhe Evropës dhe t’i përmbushin premtimet e tyre. Në samitin që vjen duhet që pa anulim, të caktohet datë për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”./Telegrafi/