Policia spanjolle arrestoi dy anëtarë të shërbimit të sigurisë si pjesë e hetimit për arratisjen e ish-presidentit katalanas, Carles Puigdemont nga Barcelona.
Njëri prej policëve të arrestuar është pronari i veturës që 61-vjeçari përdori për t’u arratisur nga sheshi, ku u shfaq në një tubim para ndërtesës së Parlamentit në Barcelonë.
Policia katalanase konfirmoi arrestimet, por nuk dha detaje të tjera.
Ish-presidenti katalanas u shfaq gjatë ditës së sotme, pavarësisht urdhër-arrestit ndaj tij, në një tubim në Barcelonë pas një mërgimi shtatë-vjeçar dhe më pas u zhduk, duke nxitur një hetim policor.
Pavarësisht sigurisë së fortë policore, Puigdemont iu drejtua një turme prej mijëra mbështetësish në kryeqytetin katalanas nga një skenë e ngritur jo shumë larg parlamentit katalanas.
“Ata menduan se do të festonin arrestimin tim dhe se dënimi do të më dekurajonte. Epo, ata e kishin gabim”, theksoi Puigdemont.
Pas fjalimit ai u largua nga skena dhe policia nuk mundi ta gjente. Ndjekja e Puigdemont shkaktoi një kolaps trafiku në Barcelonë, ndërkohë që u vendos një bllokadë jo shumë larg kufirit me Francën.
Ndryshe, Puigdemont kryeson partinë Hunts dhe ishte lider i Katalonisë midis 2016 dhe 2017, përpara se të largohej nga Spanja për në Belgjikë pas referendumit të dështuar të pavarësisë së provincës spanjolle. /Telegrafi/