Legjenda angleze Alan Shearer beson se Manchester United nuk është më një ekip gjigant i futbollit evropian.
Kampanja zhgënjyese e ‘Djajve të Kuq’ nuk tregoi shenja përmirësimi as nën urdhrat e trajnerit të ri Ruben Amorim, por kjo nuk është një befasi për legjendën angleze Shearer.
Ish-sulmuesi i Newcastle beson se vendimet e këqija që morën ndër vite e kanë sjellë Unitedin deri në këtë pikë, teksa ka paralajmëruar tifozët që të mos presin diçka më mirë për një të ardhme të afërt.
“Nëse e dëgjoni trajnerin, ai ka thënë se janë ekipi më i keq në historinë e klubit. E di se ai mund të jetë shumë i sinqertë, por më mirë të mos e kishte thënë këtë sepse nuk transmeton aspak besim brenda klubit”.
“Ju nuk duhet të jeni një gjeni për të parë gjërat e këqija në fushë që nga minuta e parë dhe ka qenë një sezon i gjatë dhe i vështirë për Man United”.
“Realiteti është se, ani pse është Manchester United në emër, ai Manchester United me të cilin u rritëm dhe kam luajtur ndaj tyre gjatë karrierës sime dhe ishin gjigantë, nuk është më”.
“Ata nuk janë më një ekip gjigant i futbollit evropian. Ata nuk kanë qenë për një kohë dhe do të vazhdojnë të jenë kështu për sa kohë”.
“Nuk e di se sa kohë do të duhet që të rregullohet kjo, por ata janë me kilometra larg atij Manchester United ndaj të cilit kam luajtur, janë me miliona kilometra larg”, ka thënë Shearer./Telegrafi/