Me gjashtë muaj burgim është dënuar ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, për çka ky i fundit e quan vendim të padrejtë.
Begaj akuzohet se në pozitën e kryetarit të Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm R. R. dhe buxhetit të Komunës me rastin e ndërtimit të një shkolle të fshatit Drenoc.
Ai për KosovaPress tha të jetë njoftuar për vendimin, i cili është prej 6 muaj burgim por që edhe mund të zëvendësohet me shumën prej 5 mijë euro.
Megjithëse një vendim nuk e kishte menduar që të merrte gjykata, ai megjithatë thotë se do ta respektojë.
“Jam i njoftuar për vendimin e Gjykatë ose 5 mijë euro gjobë ose 6 muaj burgim. Vendimi është i padrejtë për arsye sepse e kam nënshkruar një marrëveshje dhe janë marrë 7 ari, diku 85 për qind e pronës është komunale. Nuk e kam besuar asnjëherë që do ta marrin këtë vendim por unë e respektoj vendimin e gjykatës edhe pse është i padrejtë”, tha Begaj.
Begaj ishte kryetar i Malishevës deri në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në nëntor të vitit të shkuar. /Telegrafi/