Forcat e rendit e rrethuan shtëpinë e ish-kryeministres me qëllim që të mos e lejonin atë të merrte pjesë në një protestë të planifikuar të mbështetësve të saj në qytetin fqinjë, Rawalpindi.
Forcat e rendit janë dislokuar në mbarë qytetin. Grumbullimet masive janë të ndaluara nën rregullat e gjendjes së jashtëzakonshme që është në fuqi në Pakistan që nga e shtuna e kaluar.
Znj. Bhutto ka premtuar se do të zhvillojë një fushatë e cila synon ta detyrojë presidentin Musharraf që të lërë postin e kreut të ushtrisë.
Sulme vetëvrasëse
Njoftimi për arrestimin 30 ditor u bë pasi znj. Bhutto u përpoq disa herë që të kalonte kordonin e forcave policore jashtë shtëpisë së saj.
Në një intervistë dhënë BBC-së, znj. Bhutto megjithatë tha se mbështetësit e saj do ta vazhdonin fushatën edhe nëse ajo arrestohej.
Më herët, ministri pakistanez për Informim i tha BBC-së se znj. Bhutto po mbahej ‘për hir të sigurisë së saj personale’.
Policia thotë se sulmues vetëvrasës po planifikonin që të aktivizoheshin gjatë protestës në Rawalpindi.
Muajin e shkuar, znj. Bhutto i shpëtoi një tentative për ta vrarë në Karaçi.
Gjatë sulmit u vranë rreth 140 mbështetës të saj. /bbc/