Site icon Telegrafi

Ish-kryeministri sllovak akuzohet për formim të një grupi kriminal

Autoritetet sllovake kanë ngritur aktakuzë kundër ish-kryeministrit, Robert Fico për formimin e një grupi kriminal.

Policia deklaroi se për të njëjtin rast është akuzuar edhe ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Ficos, Robert Kalinak, pa dhënë detaje të tjera. Avokati i tyre, David Lintner, tha se ata akuzoheshin për krijimin e një grupi kriminal.

Fico është anëtar i opozitës socialdemokrate në parlament ndërsa prokuroria nuk ka kërkuar ende heqjen e imunitetit të tij. Kalinak punon si avokat.

Sipas Lintner, Fico dhe Kalinak besojnë se akuzat janë të motivuara politikisht.

Qeveria e koalicionit të kryeministrit, Eduard Hegerit ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si një çështje kyçe politike, raporton abc.

Që nga formimi i saj pas zgjedhjeve të vitit 2020, një sërë zyrtarësh të lartë, oficerë policie, gjyqtarë, prokurorë, politikanë dhe biznesmenë janë akuzuar për korrupsion dhe krime të tjera.

Fico, i cili konsiderohet një politikan populist, ka qenë kryeministër nga viti 2006 deri në 2010 dhe nga 2012 deri në 2018.

Ai dha dorëheqje pas vrasjes së gazetarit hulumtues, Jan Kucijak dhe të fejuarës së tij, Martina Kushnirova.

Kucijak po hetonte korrupsionin e qeverisë në kohën e vrasjes. Vrasjet shkaktuan protesta masive në rrugë dhe një krizë politike që rezultoi në rënien e qeverisë. /Telegrafi/

Exit mobile version