Telegrafi

Ish-kryeministri Sali Berisha mbetet në arrest shtëpiak, nuk mund të komunikojë me askënd përveç anëtarëve të familjes

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) sapo ka shpallur vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sali Berisha mbetet në arrest shtëpie, nën mbikëqyrje policore dhe nuk mund të komunikojë me askënd përveç personave të familjes, njofton tch.

“Me masën e sigurimit ‘arrest në shtëpi’ parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën rruga ‘Mustafa Matohiti’, duke u siguruar mbrojtja e tij me punonjës policie të shtetit si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, thuhej në kërkesën e SPAK.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.