Ish-kryeministri i burgosur pakistanez, Imran Khan, ka shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të vendit, përmes një videoje të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (Al).
Videoja është shpërndarë në rrjete sociale vetëm disa orë pasi rivali i tij, Nawaz Sharif, gjithashtu ka pretenduar se ka fituar, pavarësisht se ende po vazhdon numërimi i votave.
Në video, Khan ‘dëgjohet’ duke u thënë kandidatëve të pavarur të festojnë fitoren e tyre, ndërsa mohon triumfin e Sharifit.
“Duke votuar dje ju keni hedhur themelet për lirinë tuaj të mirëfilltë”, dëgjohet të thotë ish-kryeministri.
Ndryshe, shumë kandidatë nga Pakistani janë detyruar të kandidojnë në zgjedhje si të pavarur pasi një numër i madh i figurave të larta politike janë burgosur dhe aktivitetet e tyre të fushatës janë kufizuar.
Me gati 90 për qind të rezultateve të publikuara, kandidatët e pavarur të mbështetur nga partia PTI e Khanit kanë fituar 95 vende, ndërsa partia PML e Sharifit ka siguruar 66 vende.
Bëhet e ditur se për një shumicë në asamblenë prej 336 vendesh, kërkohen 169 të tilla. /Telegrafi/