Site icon Telegrafi

Ish-kryebankieri i BQE-së: Eurozonës i duhen rregulla të reja

Në Eurozonë nevojiten rregulla të reja dhe më shumë sovranitet i përbashkët, pohon ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi në një artikull në The Economist.

Sipas Draghit, strategjitë që siguruan prosperitetin dhe sigurinë e Evropës në të kaluarën, duke u mbështetur te Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sigurinë, Kina për eksportet dhe Rusia për energjinë, janë bërë të pamjaftueshme, të pasigurta apo të papranueshme.

Ish-kryebankieri i BQE-së ka theksuar se për sa i përket politikat buxhetore “kthimi pasiv i rregullave të vjetra të pezulluara gjatë pandemisë COVID-19 do të ishte rezultati më i keq i mundshëm”.

Ai shton se Evropa tani duhet të përballet me një sërë sfida mbikombëtare që do të kërkojnë investime të mëdha në afat të shkurtër, duke përfshirë mbrojtjen, tranzicionin e gjelbër dhe dixhitalizimin, duke shpjeguar se aktualisht blloku nuk ka një strategji për t’i financuar ato, për të shtuar se politikat kombëtare nuk mund të marrin rolin, pasi rregullat evropiane për buxhetet dhe ndihmën shtetërore kufizojnë aftësinë e vendeve për të vepruar në mënyrë të pavarur.

Pra, sipas tij ekziston rreziku serioz që Evropa të mos arrijë objektivat e saj klimatike, të mos garantojë sigurinë e kërkuar nga qytetarët e saj dhe të humbasë bazën e saj industriale në avantazh të rajoneve që vendosin më pak kufizime ndaj tyre. Për këtë arsye, Draghi pohon se kthimi pasiv te rregullat e vjetra fiskale, të pezulluara gjatë pandemisë, do të ishte rezultati më i keq i mundshëm.

Në veçanti, receta për të është kapërcimi i atyre rregullave buxhetore dhe të ndihmës shtetërore që kufizojnë aftësinë e vendeve individuale për të vepruar në mënyrë të pavarur.

Rruga kryesore është përkundrazi ripërcaktimi i kuadrit të politikave buxhetore të BE-së dhe proceseve vendimmarrëse, potencon Draghi, duke shtuar se rregullat e reja që janë strikte, për të garantuar financa të besueshme shtetërore në periudhë afatmesme, por edhe mjaft fleksibile për të lejuar qeveritë të reagojnë ndaj goditjeve të papritura.

Në fund, ai bën apel që të shmanget përsëritja e gabimeve të së kaluarës, zgjerimi i periferisë pa forcuar qendrën. /Telegrafi/

Exit mobile version