Site icon Telegrafi

Ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama aderon në PDK

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama i është bashkuar sot Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, transmeton Telegrafi.

“Gjenerallejtnënant Rrahman Rama, ka një jetë kushtuar përpjekjeve për çlirim dhe shtetndërtim. Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën operative të Shalës më 1998-99. Komandant i TMK-së pas luftës në Kosovë. Nga viti 2015 deri në vitin 2021 ishte Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës nën lidershipin e të cilit kjo forcë gëzoi ditët e saj më të mira. Një komandant që ndërtoi ura të fuqishme bashkëpunimi në shërbim të forcimit të ushtrisë tonë me të gjithë aleatët tanë, posaçërisht SHBA-të. Një personalitet që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fazat e transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ushtrinë zyrtare të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, Rrahman Rama tha se misioni jetësor dhe krenaria e tij më e madhe është shërbimi ndaj Kosovës dhe largimi i tij nga FSK, ishte përmbushje e misionit të tij ushtarak, por jo për t’i shërbyer atdheut.

“Sot, po i bashkohem shtëpisë së madhe politike – Partisë Demokratike të Kosovës, për t’i shërbyer vendit në një cilësi tjetër. PDK është parti shtetformuese e shtetndërtuese, e cila Republikën e Kosovës e ka të shenjtë dhe nuk mund ta lë në mëshirë të fatit, pavarësisht pozicionit të saj. Sidomos në një periudhë të tillë të vështirë, kur sfidat e vendit tonë janë të shumta. E posaçërisht, sfidat në fushën e sigurisë. Sot, detyrë e secilit prej nesh është që me të gjitha kapacitetet tona të angazhohemi për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje, e së bashku të ecim përpara në rrugën drejt fuqizimit të shtetit dhe përparimit e integrimit të tij. Për Kosovën jemi bashkë”, shtoi Rama.

Exit mobile version