Komandanti i dikurshëm i Batalionit 4, i Brigadës 138 të UÇK-së, Pren Marashi, në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka rrëfyer detaje nga lufta e Koshares.
Angazhimin e tij në luftë, Marashi tregon se e ka bërë nga Likoci për herë të parë, ndërsa nga dhjetori është larguar në një periudhë prej dy javësh në Itali.
“Ndërpreve luftën për dy javë, sepse nuk mund të qëndroja në Shqipëri. Rikthimi mbrapa në Kosovë thjesht na u bë i pamundur”.
Pas dy javësh “pushim”, nga Zvicra ai është kthyer në Krumë e më pas ka shkuar në qendrën stërvitore në Papaj.
Nga Papaj më pas ai bashkë me luftëtarët e tjerë kanë filluar aksionet në Koshare.
“Në fillim nuk ka pasur më shumë se 115 luftëtarë të vendosur në dy brigada dhe batalionin diverzanto-vëzhgues”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Marashi thotë se Agim Ramadani, Sali Çekaj e të tjerë, asnjëherë në luftë nuk kanë bërë dallime ideologjike apo politike, por gjithmonë kanë përcjellë mesazhin e unitetit.
Komandanti i dikurshëm i Batalionit 4, i Brigadës 138 të UÇK-së, thotë se në kulmin e Betejës së Kosharës por edhe në përfundim të saj Brigada 138 e UÇK-së nuk ka pasur më shumë se 2,600 ushtarë.
Marashi thotë se ndër momentet më të vështira në luftën e Koshares ka qenë kur NATO bombardoi karaudhën që tashmë ishte marrë nën kontroll nga UÇK-ja.
Komandanti i dikurshëm i Batalionit 4, i Brigadës 138 të UÇK-së ka thënë se pas luftës në Kosovë ka pasur mbi 20 shërbime sekrete që kanë nxitur urrejtjen ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Duhet të kemi parasysh se ka pasur edhe struktura shqiptare që kanë punuar për sistemin serb në atëkohë, dhe gradualisht ka filluar njollosja e luftës dhe UÇK-së bashkë me shërbimet e huaja. Normal më pas ka filluar edhe reagimi i pjesëtarëve të UÇK-së ndaj kësaj situate”, tha ndër të tjera Pren Marashi./Telegrafi/