Site icon Telegrafi

Ish-komandanti i Batalionit 2, flet për mospajtimet që kishte brigada e tij me Ramush Haradinajn gjatë luftës (Video)

Ish-komandanti i batalionit 2, Brigada 138, Fadil Hadërgjonaj ka thënë se brigada e tij kishte dallime në koncepte me Ramush Haradinajn sa i përket luftës në Dukagjin.

Hadërgjonaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se pas futjes në Kosovë të një grupi që janë përgatitur në Papaj, Ramush Haradinaj u kishte thënë të shpërndahen në zonat nga vijë e jo të gjithë ushtarakët të veprojnë në Dukagjin.

“Ne e kishim parë ndryshme luftën dhe kjo shpërndarje nuk na konvenonte. Nuk jemi pajtuar me Ramush Haradinajn të shpërndahemi sepse Agim Ramadani ishte nga Zhegra, Nazif Ramabaja nga Gjilani, ishin disa nga Drenica si Shaban Dragaj e Musa Dragaj etj. Ideja jonë ishte ti fuqizojmë njësitë operative”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-komandanti i batalionit 2, Brigada 138, thotë se Haradinaj u kishte thënë se “ky është qëndrimi im, zona që keni ardhur është nën kontrollin tim dhe këto janë kushtet e mija” dhe sipas tij, Ramushi ishte larguar pa ndonjë pajtim.

Ai thotë se pas dy ditësh ka ardhur një letër në drejtim të Tahir Zemajt për t’u paraqitur në Shtabin e Junikut.

“Në odën ku kemi qenë kemi ndërhyrë unë, Agim Ramadani dhe Rustem Berisha duke i thënë Zemajt se ti nuk do të shkosh por do të shkojmë ne në atë takim. Pasi shkuam në takim ka pasur disa nervoza. Pyetja e parë që e ka bërë Agim Ramadani u ka thënë “a jeni ju autoriteti që do ta parandaloni vëllavrasjen, ne jemi gjithçka me bo vetëm vëllavrasje që të mos ketë”.

Hadërgjonaj thotë se Sali Veseli në fund fare ka garantuar se s’do të ketë vëllavrasje, por na ka thënë se “ju do të ktheheni nga keni ardhur”./Telegrafi/

Exit mobile version