Telegrafi

Ish-koloneli i FSK-së: Parada ushtarake ishte një mesazh, por s’kemi nevojë ta ekspozojmë forcën

Ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, paradën ushtarake në nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës e ka vlerësuar si një mesazh, por ka theksuar se nuk është e nevojshme të ekspozohet forca pasi vendi synon anëtarësimin në NATO.

“Parada ushtarake është një mesazh që i dërgohet dikujt. Mirë është që nuk i kanë ekspozuar armët edhe të FSK-së, ndoshta më mirë do të ishte të mos ishte numri kaq i madh i pjesëtarëve në këtë paradë”, ka deklaruar Veseli, për RTV Dukagjini.

Ai ka theksuar se parada mund të kishte përfshirë asamble të ndryshme folklorike nga trojet shqiptare, për të zbukuruar ngjarjen dhe për ta shënuar si një ditë festive.

Veseli ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të ekspozojë forcën përmes paradave ushtarake, pasi vendi synon anëtarësimin në NATO dhe punon vazhdimisht për mbrojtjen e atdheut.

“Ne nuk kemi nevojë të çojmë mesazhe të tilla përmes paradave të ngjashme ushtarake”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera, ai ka thënë se FSK-ja do të jetë mirë gjithmonë derisa është në një partneritet me kombet dhe ushtritë që i kanë ndihmuar vendit në luftë dhe pas luftës.

“FSK-ja në bazë të planit tranzitor është duke shkuar mirë, sot u panë rreshtat e kuadrateve të forcës, vërehet edhe një numër më i madh i pjesëtarëve në rritje të saj. FSK-ja do të jetë mirë gjithmonë, derisa është në një partneritet me kombet dhe ushtritë që na kanë ndihmuar në luftë dhe pas luftës. Në veçanti me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë dhe vendet e tjera. Do të dëshiroja më shumë, do të doja që ky vit të na nxinte në rezultatet më të mëdha, të ishim në partneritet për paqe me NATO-n, por krejt kjo pjesë është dashur të realizohet nga politika e vendit, kjo qeveri tani dhe të kaluarat, por jemi ku jemi tash”, ka deklaruar mes të tjerash ai. /Dukagjini/