Afrim Veseli, ish-kolonel i FSK-së, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të dalë me një sqarim dhe të tregojë nëse ka pasur apo jo atentat ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Ai e konsideron shqetësuese, kërcënimin i cili pretendohet t’i jetë bërë kreut të ekzekutivit, Albin Kurtit.
“Rrezikimi i jetës së cilitdo qytetarë është shqetësim në vete, por kur kërcënim vjen për kryeministrin e vendit, është shumë shqetësuese. Nëse është si i tillë, i vërtetë, atëherë duhet të ndihemi të shqetësuar të gjithë qytetarët e vendit”, tha ish-koloneli në RTV Dukagjini.
Veseli thotë se kërcënimi ndaj kryeministrit duhet të shqetësojë secilin qytetarë të vendit.
“Është interesant që Prokuroria e shtetit që e ka për detyrë ta hetojë, nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë. Nëse është i vërtetë ky kërcënim ndaj kryeministrit duhet të ndihemi të shqetësuar të gjithë, por nëse është përdorur për diçka tjetër dhe nuk është i vërtetë atëherë është sërish shqetësim i madh dhe më gjera të tilla nuk duhet të luajmë”.
Ai thotë se prokuroria duhet të tregojë nëse ka shtuar masat e sigurisë për kryeministrin.
“Kisha kërkuar nga prokurori i shtetit që të dalë me një deklaratë dhe ta njoftojë publikun që ka pasur apo jo, nëse ka pasur të tregojë që janë rritur masat e sigurisë për kryeministrin”.
“Cila është e vërteta e gjithë kësaj në ditët në vazhdim, do të doja të dëgjoja prokurorin e shtetit por edhe kryeministrin se nëse është abuzim ky lajm atëherë kjo është vepër penal”, u shpreh ai.
Ndryshe, Kurti ka thënë se pa shumë forca policore gjatë vizitës në Shkup, ndërsa televizioni publik në Kosovë raportoi paraprakisht se masat e rrepta të sigurisë u ndërmorën, pas informacioneve se po planifikohej një atentat ndaj tij.
Kurti nuk e mohoi se ka pasur përpjekje për atentat, teksa tha se ka vazhdimisht kërcënime nga Beogradi, por theksoi se nuk ndihet i rrezikuar.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë kryeministri Kurti.
Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK) ka raportuar duke u thirrur në burime brenda institucioneve të sigurisë se ka pasur një tentativë atentati ndaj kryeministrit, “nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”.