Titullit të kampiones të botës që e fitoi Majlinda Kelmendi në Kampionatin botëror në xhudo në Rio de Janeiro të Brazilit i janë gëzuar shqiptarët nga katër anët e botës. Urimet për këtë triumf të Majlindës vijnë edhe nga Kanadaja e largët. Ish-karateistja e njohur shqiptare nga Kumanova e Maqedonisë, Ardita Iseni uron kampionen e re. “Urime Majlinda, je më e mira”. Ndërsa, ajo ka shtuar se meçin e saj e ka ndjekur “Live”.
“Më besoni se sa i jam gëzuar suksesit të Majlindës. Kam qarë nga gëzimi. Për një çast mu kujtua vetja. E dija se në çfarë situate gjendet Majlinda në ato momente. Nuk ishte e lehtë të fitosh brazilianen në shtëpi të vetën. Bravos i qoftë. Duhet të mburremi me Majlindën”, deklaroi në një bisedë për gazetën “Lajm”, Ardita Iseni-Rizaj nga Montreali i Kanadasë, ku jeton prej disa vitesh me familjen e saj.
Ndryshe, edhe Ardita Iseni gjatë karrierës së saj ka shënuar rezultate kulmore. Ajo në Maqedoni njihej si mbretëresha e karatesë në konkurrencën e femrave, duke arritur majat e suksesit. Po veçojmë vetëm disa: Vendi i tretë në evropianin e Finlandës, vendi i tretë në universiadën botërore, vendi i parë në kupën e Bosforit, dy vende të para në Kupën evropiane në Shkup, një dekadë të plotë në mesin e pesë më të mirave në botë, vendi i tretë në universiadën e botërore në Beograd, dy herë e para në Kupën e botës në Haskovo, dhe pa konkurrencë në Maqedoni. Gjithsej ka fituar mbi 300 medalje. Ardita sot jeton dhe vepron në Montreal të Kanadasë, së bashku me bashkëshortin e saj Ismet Rizaj dhe djemtë: Eridani, Rayani dhe Redoni. Ardita punon si profesoreshë e edukatës fizike në një shkollë të mesme në qytetin Montreal. /Sporti1 /Telegrafi/