Bruce Lee ka mundur të bëhet kampion i botës në boks – ka deklaruar një prej legjendave të këtij sporti, George Foreman.
Në përvjetorin e vdekjes së tij, më 20 korrik, ka dalë në shitje libri “Bruce Lee: The Life of a Legend” (“Bruce Lee: Jeta e një legjende”).
Lee, i cili vdiq në vitin 1973 si pasojë e një dëmtimi trunor, këtë vit do të mbushte 80 vjet.
Ndërsa duke i shikuar disa lëvizje të legjendës, 71-vjeçari Foreman pohon se aktori i ndjerë ka mundur të bëhej shumë i suksesshëm në boks.
“Ai ka mundur të bëhej gjithçka. Në kategorinë e peshës së tij, ai do të ishte bërë kampion boksi. E mbaj mend, ndodhesha në Havai në vitin 1973 dhe shkova ta shoh filmin ‘Enter the Dragon’”.
“Kur u largova nga filmi, në gjithë shpinën time kisha dridhje! Unë isha kampion i botës në kategorinë e peshave të rënda, mirëpo gjithçka që mund të thosha ishte: ‘Uau’!”.
“Isha i shokuar! I gjithë publiku ishte i habitur. Bruce Lee ndryshoi gjithçka!”, ka deklaruar Foreman.
George Foreman, i cili u pensionua nga boksi në vitin 1997 (si 48 vjeçar), ka qenë kampion i dyfishtë në kategorinë e peshave të rënda, me rekord prej 76 fitoresh dhe pesë humbjeve. /Telegrafi/