Një nga investitorët më të hershëm të Facebook ka etiketuar planet e gjigantit të mediave sociale për një Metaverse si “distopike”.
Meta, siç njihet tashmë Facebook, po investon miliarda në projekt. Por, Roger McNamee i tha BBC-së se “Është një ide e keqe dhe fakti që ne të gjithë jemi ulur dhe e shikojmë këtë sikur është normale duhet të na alarmojë të gjithëve”.
Shefi i produkteve të Metas, Chris Cox, u tha të pranishmëve në Samitin e Uebit në Lisbonë se ideja do ta bënte “internetin më pak të sheshtë”.
Ai tha se do të ishte shumë më mirë se video-konferenca si një hapësirë për takime. Megjithatë, duke folur në të njëjtën ngjarje, McNamee ishte shumë skeptik “Facebook nuk duhet lejuar të krijojë një Metaverse distopike”.
Termi Metaverse u krijua në vitet 1990 në një roman fantastiko-shkencor Snow Crash, ku shërbeu si një pasues i realitetit virtual të internetit.
McNamee u bë një kritik i Facebook-ut pasi filloi të shihte më shumë dezinformata në platformë. Ai tha se nuk ishte i bindur se Metaverse do të ishte e sigurt në duart e shefit ekzekutiv Mark Zuckerberg.
“Nuk ka asnjë mënyrë që një rregullator ose politikëbërës të lejojë Facebook të operojë atje [në metaverse] ose të hyjë në kriptovaluta,” tha ai.
“Facebook duhet të kishte humbur të drejtën për të bërë zgjedhjet e veta. Një rregullator duhet të jetë aty duke dhënë miratimin paraprak për çdo gjë që ata bëjnë. Sasia e dëmit që ata kanë bërë është e pallogaritshme”, tha ai.
Ndryshe, Mark Zuckerberg ka prezantuar javën e kaluar inovacionin më të ri të teknologjisë të quajtur Metaverse. /Telegrafi/