Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, është duke e vazhduar raportimin e tij në Komisionin për Legjislacion.
Ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, të cilën e ka quajtur gjykatë një-etnike.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara nuk janë të interesuara për të arritur drejtësinë.
“(Gjykata Speciale) është një gjykatë një-etnike dhe nuk është e interesuar për të arritur drejtësi. Është një gjykatë e cila si procesin, ashtu edhe rezultatin e kontrollon”, theksoi ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të reagojë pasi tha se Gjykata Speciale “është aty vetëm për t’i ndëshkuar ish-komandantët e UÇK-së”.
Ai theksoi se në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë punojnë shumë zyrtarë që mendojnë vetëm se si t’i mbushin xhepat me para.
“Në EULEX ka persona të ndershëm dhe të hapur që e bëjnë punën e tyre dhe që kanë ardhur në Kosovë me qëllimin për të bërë mirë. Mirëpo fatkeqësisht ka shumë zyrtarë atje që dëshirojnë t’i mbushin xhepat. Ata e shohin këtë si mundësi për të bërë para dhe s’kanë interes për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës”, tha Simmons. /Telegrafi/