Paul Ince, ish-mesfushori i Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, beson se edhe fitorja në finalet e së nesërmes nuk mund të shërojë dhimbjen e Liverpoolit që i është shkaktuar në luftën për titullin e Ligës Premier.
The Reds janë finalist të Ligës së Kampionëve, por në kampionatin anglez nuk kanë arritur të shpallen kampion, pasi që për të dytin vit rresht në këtë garë ka triumfuar Manchester City.
“Për Liverpoolin, fitimi i Ligës së Kampionëve nuk mund të kompensojë humbjen e titullit të Ligës Premier”, tha Ince për Paddy Power News.
“Zhgënjimi pas humbjes në sezonin e kaluar ose pas golit të Vincent Kompany kundër Leicester Cityt është diçka që nuk mund të matet. Asgjë nuk mund të kompensojë titullin në ligë, por fitorja e Ligës së Kampionëve do të ishte diçka e afërt me të”, tha më tutje ish-reprezentuesi anglez.
“Kam dëgjuar që njerëzit thonë se Klopp do të jetë humbës nëse humbet finalet, kështu që unë nuk mund t’ju them se si do ta përshkruaja. Si mund ta quajmë humbës Liverpoolin? Ata detyruan Citizens që deri në ndeshjen e fundit të luftojnë për titull. Është e padrejtë t’i quajmë ata ose Kloppin humbës”, tha në fund ai.
Ndryshe, Ince gjatë karrierës dyvjeçare te The Reds ka pasur 65 paraqitje dhe ka realizuar 14 gola në të gjitha garat. /Telegrafi/