Telegrafi

Ish futbollisti i Real Madridit, Philipp Lienhart: Aty në klub shihje të rinj nën 17 vjeç me çanta të dorës 500 euro, ata nuk duhet të paguhen shumë

Mbrojtësi austriak, Philipp Lienhart, është një nga shtyllat kryesore në mbrojtjen e skuadrës që është kthyer në sensacion të madh të Bundesligës, Freiburgut, që zë vendin e tretë.

Freiburg ishte pa humbje deri në këtë fundje, ku pësoi nga Bayerni, duke humbur epitetin si e vetmja e pamposhtur në Bundesligë.

Merita më të mëdha të këtij suksesi i ka mbrojtja e udhëhequr nga qendërmbrojtësi austriak, Lienhart, që ka luajtur çdo minutë të kampionatit dhe ka shënuar dy gola.

Qendërmbrojtësi erdhi te skuadra gjermane nga Real Madrid në vitin 2017, pasi kishte qenë katër vite te Los Blancos, në radhët e Castillas.

Ai e pranon që rikthimi i mundshëm në Real Madrid do të ishte hap i madh, por duhet të përparojë shumë.

“Është një hap shumë i madh. Do të më duhej të përparoja më shumë për ta bërë të mundur. Do të ishte mirë të kisha mundësinë të kthehesha”, deklaroi ai.

Dallimet mes Real Madridit dhe Freiburgut: “Freiburgu është një klub më familjar dhe kjo e bën atë të veçantë. Në Real Madrid është ndryshe”.

Të rinjtë e Real Madridit: “U befasova kur pashë lojtarë të U-17 duke ecur me çanta në dorë në vlerë 500 euro. Nuk mendoj se është e nevojshme … Mendoj se nuk është mirë kur një lojtar i ri fiton kaq shumë para”./Telegrafi/