Ish-drejtori ekzekutiv i Manchester Cityt, Garry Cook ka konfirmuar bisedimet me John Terryn, por mbrojtësin anglez vendosi ta refuzonte ofertën e tyre në atë kohë.
Drejtuesit e Cityt i ishin afruar Terryt në vitin 2009 duke kërkuar një transferim të tij në Etihad Stadium, një vit pasi klubin e mori Sheikh Mansour.
Ata i ofruan mbrojtësit anglez plot 200 mijë funte në javë rreth 12 milionë euro në vit në një kontratë pesë vjeçare, por ajo u refuzua nga Terry.
“Kemi kaluar nëpër procesin e nënshkrimit të Terry”, ka thënë fillimisht Cook për Sky Sports.
“Shefi ekzekutiv i Chelseat, Peter Kenyon, ishte aty në atë kohë dhe ne kishim biseda me të, duke thënë se do të donim ta bënim një bisedë edhe me Terryn”.
“Mendoj se ai ishte shumë i sigurt se Terry nuk do të shkonte askund”.
“Ne patëm biseda me Terryn dhe ai vendosi të qëndronte atje ku ishte, dhe me të drejtë”.
“Por, nuk ishte kurrë një dokument i gatshëm për të nënshkruar”, përfundoi ish-drejtuesi i Cityt.
Terry më vonë zbuloi se ai e përdori ofertën nga City si mjet negociues për një marrëveshje të re me Chelsean. /Telegrafi/