Telegrafi

Ish drejtuesi i LKÇK-së: Kur nuk pranova të anëtarësohem në LDK, fshati më konsideroi si të çmendur

Ish drejtuesi i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), Avni Klinaku tregon historikun e kësaj lëvizje dhe mosmarrëveshjet që kishin me LPK-në dhe LDK-në e asaj kohe.

Klinaku në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ndjehet i lumtur që organizata e tij LKÇK kishte bërë marrëveshje për bashkimin e armëve me UÇK-në.

Ai thotë se LKÇK u formua në vitin 1993, në kohën kur nga Kosova u larguan mbi 500 mijë qytetarë si mungesë e shpresës dhe siç thotë ai “në mungesë të rezistencës”.

Klinaku thotë se si i burgosur  që ishte populli kishte një simpati për të, por thotë se gjërat ndryshuan kur ai refuzoi të anëtarësohet në LDK.

“Unë nuk jam anëtarësuar në LDK në atë kohë dhe fshati im [Mazgit – Obiliq] më ka parë si të isha i çmendur. Nuk ka qenë normale të mos i nënshtroheshe diskursit të LDK-së në atë kohë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish drejtuesi i LKÇK thotë se me konceptin e LDK-së ishin në oponencë të plotë por thotë se mirë punët nuk i kanë pasur as me LPRK-në e atëhershme ku ishin anëtarë Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Me pjesën e UÇK-së rruga me LPRK-në ishte e përbashkët, por mënyra se si ta drejtonim luftën na ndante. Ne mendonim që masa duhet të përgatitet politikisht që të merr armën ndërsa ata kanë menduar se masa duhet të merr armën e me kalimin e kohës do të piqen politikisht. Kjo ka pasur sukses dhe natyrisht që teza ishte e lidhur me LPRK-në dhe neve na lanë më mbrapa dhe na marxhinalizuan. Por mua nuk më vjen keq që u bashkuam me UÇK-së”, tregon me tej Avni Klinaku./Telegrafi/