Ish-diplomati Amir Haziri njoftoi të enjten se ka ushtruar padi ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për siç tha, mënyrën e shkëputjes së marrëdhënies së punës zyrtare në MPJD.
Po ashtu, ai tha se ka parashtruar edhe kallëzim penal kundër ministres Gërvalla dhe sektarit të MPJD-së, Behar Isma, lidhur me rastin e “thyerjes së zyrës time”.
“Fatkeqësisht, disa javë para vendimit për shkëputje të marrëdhënies së punës, isha në pushim pa pagesë dhe zyra ime ishte thyer kundërligjshëm dhe pa më njoftuar askush”, shkroi Haziri në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, lidhur me këtë rast kryediplomatja është deklaruar disa herë publikisht dhe “ka sajuar trillime dhe të pavërteta me qëllim të arsyetimit të thyerjes së kundërligjshme të zyrës”.
“Në këtë zyre (një kopje të çelësit të të cilës do të duhej ta këtë edhe ministria), si diplomat i karrierës për shumë vite, kam pasur dokumente zyrtare dhe të rëndësishme për fatin e të cilave nuk di asgjë”, theksoi ish-diplomati.
“Në këtë zyre, kam pasur mjete, të dhëna dhe gjësende personale (me vlerë materiale dhe jo materiale), të cilat asnjëherë nuk i kam pranuar dhe për fatin e tyre nuk di asgjë deri më sot”.
Ai tutje pretendoi se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për t’u shkarkuar nga përgjegjësia e zyrës dhe për të marrë gjërat e tij private, asnjëherë nuk ka pranuar përgjigje.
“Në këtë mënyrë, ministrja dhe vartësi i saj, sekretari i përgjithshëm, kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe me vendimet dhe veprimet e tyre kanë kryer disa vepra penale për të cilat duhet të përgjigjen penalisht”, shtoi Haziri. /Telegrafi/