Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Shaun Byrnes tha se i kujtohet që i ka thënë dikush që Agim Krasniqi dhe Gjergj Dedaj ishin marrë në pyetje dhe ishin akuzuar për tradhti nga UÇK-ja.
Më pas, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénawl Mettraux, dëshmitari tha se një gjë të tillë ia kishin thënë vetë Krasniqi dhe Dedaj.
“Duhet përkufizuar tradhtia, por kjo ka qenë një akuzë e UÇK-së nga pikëpamja jonë. Ata kanë qenë të angazhuar në veprimtari normale politike, por më vonë në parti politike”, tha ai.
Dëshmitari tha se UÇK-ja asnjëherë nuk iu ka dhënë arsye për ndalimin e këtyre deputetëve, përfshirë edhe Dedajn e Krasniqin.
“UÇK-ja asnjëherë nuk na ka dhënë arsye për ndalimin e tyre, sa më kujtohet mua, besoj që ka qenë në kuadër të mosmarrëveshjes politike që kishte UÇK-ja me LDK-në. UÇK-ja po përpiqej të shtrijë influencën e vet në këto zona”, tha Byrnes.
Ai tha se pika e kontaktit për lirimin e këtyre 13 deputetëve ishte Sokol Bashota.
Ndryshe, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të vazhdojë edhe gjatë seancës së planifikuar për nesër (28 mars).
Byrnes tha se në një takim që kishte pasur në Rambuje me Xhavit Halitin, ai i tregoi për aspiratat që kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), për bashkim kombëtar me Shqipërinë, si dhe krijimi i një sistemi të Enver Hoxhës në Kosovë.
Ai tha se ka pasur dallime edhe ndërmjet grupit, teksa theksoi se ajo që i kishte thënë Haiti, të cilin e kishte takuar për herë të parë në Rambuje, e kishte bërë të qeshte.
“Më ftoi për drekë dhe të dy së bashku ishim, pra vetëm ne me njëri-tjetrin në drekë, pra ai foli goxha gjatë për aspiratat e UÇK-së dhe e mbaj mend në mënyrë konkrete se ja ku isha unë një diplomat amerikan, në fakt diplomat i nivelit të lartë dhe ai po me tregonte për aspiratat e UÇK-së. Këto aspirata ishin për të ribashkuar trojet shqiptare që do të thotë Shqipërinë dhe Kosovën dhe që të krijohej një sistem në Kosovë që do të merrte sistemin e Enver Hoxhës në Shqipëri. E mbaj mend që desh vdiqa së qeshuri që po dëgjoja atë që po thoshte se nuk e kisha pasur asnjë përvojë të tillë më parë në jetën time”, tha ai.
Ai tha se kurrë në karrierën e tij nuk i kishte ndodhur që një palë t’i hapej kaq thellësisht dhe t’i tregonte për atë që besonte.
“Kurrë më parë në gjithë karrierën time ku një palë, pra pala tjetër të më hapej kaq tërësisht dhe ndershmërisht të më tregonte atë që besonte. Ishte e jashtëzakonshme, por ja që Haliti përfaqësonte njërin kah të LPK-së që ishte pro një sistemi sipas modelit të Hoxhës për Kosovën. Pra, përveç, natyrisht çlirimit të Kosovës nga kontrolli i serbëve do ta kthente në diçka si modeli i Hoxhës. Por, po e lë me kaq”, tha ai.
Dëshmitari tha se Hashim Thaçin nuk e kishte dëgjuar asnjëherë që të fliste për bashkim kombëtar.
“Jo, nuk e mbaj mend dhe kurrë në bisedat që kemi pasur qoftë në formë private, të dy apo me të tjerë kurrë nuk ka thënë kur jemi takuar në Kosovë të ketë folur për bashkimin me Shqipërinë”, tha ai.
Në anë tjetër, ai foli edhe për ndalimin e opozitarëve në Qirez, ku tha se mendonte që ishte një operacion i udhëhequr nga Shtabit i Përgjithshëm, por tha se ishte vetëm gjykimi i tij dhe nuk ia kishte thënë dikush.
Sipas Byrnes, operacioni në Qirez ishte një konflikt politik mes UÇK-së dhe LDK-së, se kush do të qeveriste me Kosovën pasi të ishin dëbuar serbët.
Tutje, ai tha se nuk kishte prova që Shtabi i Përgjithshëm kishte dhënë urdhra për ndalimin ose për rrëmbimin e dikujt.
Pas kësaj, seanca kaloi në sesion privat për publikun dhe që si rrjedhojë pyetjet më pas për dëshmitarin i vazhdoi gjyqtari Guénaël Mettraux.
Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes u pyet edhe për policinë e pretenduar ushtarake të UÇK-së, teksa theksoi se nuk i kujtohet të ketë parë Rexhep Selimin t’iu ketë dhënë urdhra ushtarëve tjerë ose anëtarëve të UÇK-së.
Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Christoph Barthe.
Ai tha se për herë të parë e kishte parë policinë ushtarake gjatë lirimit të disa gazetarëve serbë në Dragobil. Për këta persona që ishin policë ushtarakë, dëshmitari tha se ia kishte thënë Sokol Bashota.
“Është e vështirë ta kujtojë këtë. Veçanërisht për shkak të faktit se kishim takime të rëndësishme; për shembull kishim takimin e nëntorit. Nuk më kujtohet data, por më kujtohet që kishim pasur një takim në nëntor. Pasi ishte krijuar MVK-ja, ne negociuam lirimin e disa gazetarëve serbë nëse nuk gaboj. Gazetarët na u dorëzuan neve ose me saktë iu dorëzuan gjeneral Walker në Dragobil. Kishte shumë ushtarë të UÇK-së atje, grupe të mëdha të ushtarëve të UÇK-së atje dhe në perëndim i referohemi atyre si grupeve të posaçme të sigurisë dhe forcat ndërhyrje dhe mbrojtjen e personave shumë të rëndësishëm”, tha Byrnes.
Personat që ishin pjesë e policisë ushtarake, atij iu tha se ofronin mbrojtje për persona të rëndësishëm dhe liderë.
“Mbaj mend që e kemi pyetur z. Bashota se kush ishin ata persona dhe tha se ishte policia ushtarake e UÇK-së që ishin persona që ofronin mbrojtje për persona shumë të rëndësishëm dhe liderë ose që ishin në maje të hierarkisë mbronin krerët e lartë. Ky ishte një prej rasteve që kemi parë policinë ushtarake. Kaq me kujtohet”, tha dëshmitari.
Ai tha se nuk ka parë ndonjë uniformë konkrete dalluese të policisë ushtarake, ndërsa kolegët e tij po.
“Jo nuk më kujtohet. Megjithatë, ajo se çfarë mund të them është që unë nuk kam pa personel të UÇK-së me uniforma të caktuara. Anëtarët tonë kanë parë personel të UÇK-së me uniforma të caktuara, por unë jo personalisht”, tha ai.
Ndërsa, për Kadri Veselin dëshmitari tha se nga burime kishte mësuar se ai ishte shefi i Njësisë së Inteligjencës brenda UÇK-së.
“Mbi bazën e shumë burimeve të tjera që unë kam mësuar, nga zyrat e UÇK apo njerëz të tjerë që dinin shumë për UÇK-në, kam kuptuar se Kadri Veseli ishte shefi i Njësisë së zbulimit dhe kundërzbulimit të UÇK-së. E kam mësuar këtë më vonë, pasi kishte përfunduar konflikti dhe NATO-ja ishte në Kosovë”, tha ai.
Ndërsa i pyetur se ku ishte ai gjatë vitit 1998-1999, dëshmitari tha se i vetmi informacion që kishin ishte se Veseli ishte në Shqipëri.
“I vetmi informacion që kishim për z. Veseli ishte që ai ishte në Shqipëri. Ne nuk e dinim se çfarë roli kishte ai. Kishte fjalë që qarkullonin, mirëpo ne nuk kishim një informacion konkret”, tha Byrnes.
Ndryshe, gjatë kohës së pjesës së parë të seancës, përfundoi pyetjet avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson Kadri Veselin në këtë gjykim.
Gjatë marrjes në pyetje, Emmerson ia prezantoi dëshmitarit një video në të cilën sipas tij shihej një kolonë e madhe e refugjatëve shqiptarë që shkonin nga Baica në Vuçak të Drenasit, që sipas tij ishte në veri të Malishevës.
Ndërsa, gjatë prezantimit tëv videos, Emmerson tha se në këtë video shihej klienti i tij Veseli dhe i kërkoi dëshmitarit që të tregojë nëse e njihte atë. Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha Emmersonit që po dëshmon Byrnes dhe jo ai.
“A ka mundësi që të dëshmojë zotëri dëshmitari dhe jo ju zotëri Emmerson. Se po dëshmoni ju zotëri Emmerson”. tha Smith III.
Ndërsa, dëshmitari mohoi që të ketë parë ndonjëherë këtë skenë që paraqitej në video.
Pas kësaj, mbrojtja e Selimit kërkoi që t’i parashtrojë disa pyetje në sesion privat për publikun dhe kjo gjë u aprovua.
Pyetje shtesë për dëshmitarin pati edhe prokurori Ward Ferdinandusse, i cili u fokusua në takimin që ish-diplomati amerikan kishte pasur me Thaçin.
Dëshmitari tha se me Thaçin ishte takuar në gusht të vitit 1998.
“Në gusht, pak pasi kisha mbërritur dhe unë theksoj që nuk e njihja se kush ishte dhe as nuk u prezantua”, tha Byrnes.
Prokurori Ferdinandusse u fokusua edhe tek funksioni i Jakup Krasniqit. Ai e pyeti dëshmitarin se a kishte parë ndonjë urdhëresë me shkrim nga Shtabi i UÇK-së.
“Më kujtohet që kemi parë disa përkthime në anglisht që ishin urdhëresa të UÇK-së, por ama nuk më kujtohet përmbajtja e tyre. Kur kam qenë atje, i bie edhe në ‘98 edhe ‘99. Nuk më kujtohet përmbajtja”, tha ai.
Dëshmitari tha se nuk i kujtohet që ka parë ndonjë komunikim me shkrim në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave, si dhe anasjelltas. Ai po ashtu mohoi se ka qenë në ndonjë mbledhje në mes tyre.
Ish-diplomati amerikan tutje tha se nuk i kujtohet nëse Shtabi i UÇK-së kishte ekzistuar para verës së vitit 1998, mirëpo i kujtohet se i kishte thënë dikush që ai kishte ekzistuar, por se nuk e din se kush ia kishte thënë.
Prokurori Ferdinandusse ia kujtoi dëshmitarit se në intervistën me ZPS-në, ai kishte thënë se nuk kishte dëgjuar asnjëherë për një term si ‘Shtabi Qendror i UÇK-së’.
“Po, kështu kam thënë”, u përgjigj Byrnes në pyetjen e prokurorit Ferdinandusse.
Pas kësaj, dëshmitari u mor në pyetje edhe nga mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aidan Ellis, për të vazhduar më pas gjyqtari Christoph Barthe. /Betimi për Drejtësi/