Telegrafi

Ish deputeti serb: Shefi i terroristëve të Banjskës është Vuçiq

Ish-deputeti serb, Dragan Shormaz, ka deklaruar se Kosova nuk përballet me ndonjë rrezik për veprime ushtarake nga Serbia.

Këtë qëndrim e shprehu gjatë një konference të organizuar nga Instituti për Studimet e Luftës Hibride “Octopus” në Prishtinë.

Shormaz, duke folur për rolin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, theksoi se ai vepron më shumë si biznesmen sesa si politikan.

“Vuçiq funksionon si biznesmen, jo si politikan,” tha Shormaz, duke theksuar se kjo ndikon në vendimet e tij politike.

Lidhur me sulmin terrorist serb në Banjskë, Shormaz ngriti pyetjen se si mund të arrestojë Vuçiq ata që janë përgjegjës për sulmin, duke sugjeruar se ai vetë ka lidhje me ta.

“Si mund t’i arrestojë Vuçiq terroristët e Banjskës, kur ai është shefi i tyre?” u shpreh ai.

Gjithashtu, Shormaz kritikoi përdorimin e propagandës nga Vuçiq, duke kujtuar zgjedhjet e vitit 2017.

“Propaganda ia fitoi zgjedhjet e vitit 2017,” tha ai, duke shtuar se Kosova dhe Republika Srpska vazhdojnë të përdoren si tema për të manipuluar opinionin publik.

Sipas tij, Vuçiq vazhdon të ndërtojë lidhje me Perëndimin dhe ekonomia serbe kontrollohet nga oligarkët e afërt me të.

“Pasi Vuçiq u kthye nga një vizitë në Rusi më 21 nëntor 2021, ai fliste vetëm për madhështinë e Rusisë dhe Putinit,” shtoi Shormaz, duke nënkuptuar se lidhjet me Rusinë po ndikojnë në politikën e brendshme serbe.

Në përfundim, Shormaz potencoi edhe një herë se Kosova nuk ka rrezik për veprime ushtarake nga Serbia./Telegrafi/