Site icon Telegrafi

Ish i burgosuri politik, Selatin Novosella tregon jetën në burgun e Prishtinës

Ish i burgosuri politik, Selatin Novosella ka thënë se ish-burgu i Prishtinës nuk duhet të shndërrohet në një vend ku njerëzit mund të trishtohen apo frikësohen, por në një vend ku vizitorët do të shohin se sa shumë është sakrifikuar për vendin.

Novosella tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ta kthyer burgun e Prishtinës në një monument kulturorë për vizitorë është dëshmia më e mirë për ta kthyer në vlerë kombëtare.

“Duhet të vlerësohet shumë vendimi i qeverisë dhe ministrisë. Dita e lirisë së Kosovës e ndërlidhur me shndërrimin e burgut, kur tha dikush të ‘burgut të ideve’, në një monument kulturorë është dëshmia më e mirë për ta kthyer në vlerë kombëtare. Duhet të jetë burg i të burgosurve politik i krejt Jugosllavisë. Ky burg duhet të  shndërrohet në burg se si ka qenë më herët”, ka thënë ai.

Novosella tregoi se si i burgosur politik në këtë burg, qysh në vitin 1964 kushtet e burgut kanë qenë rënda, përcjell Telegrafi.

“Njëri nga të burgosurit kam qenë unë, në vitin 1964. E kemi kryer nevojën në qyp, kemi hëngër bukë në kalenic, kemi hëngër me lugë druri, nuk ka lidhje ky burg i sotëm me atë se si ka qenë më herët. Megjithatë, ky vend nuk duhet të shndërrohet në një objekt të vizitorëve ku mund të trishtohen, frikësohen, por të shndërrohet në një vend ku do të shohin se në çfarë kushtesh është vepruar dhe sakrifikuar, vet fakti që këtu ka qenë Adem Demaçi, Shaban Shala, Fadil Grajqevci dhe me dhjetëra të burgosur të tjerë”, është shprehur ish i burgosuri politik, Selatin Novosella.

Deklaratën e Novosellës mund ta ndiqni nga minuta e 6-të. /Telegrafi/

Exit mobile version