Telegrafi

Ish i burgosuri politik: Asllan Sllamniku torturonte në mënyrë shtazarake

Në vazhdën e rrëfimeve nga ish të burgosurit politik, kësaj here përjetimet e tij i ka ndarë Ramadan Gashi, i cili ishte arrestuar nga ish-regjimi sero-jugosllav për organizimin e protestave të marsit 1981.

Gashi e tregoi në detaje momentin e arrestimit duke e përmendur me emër pjesëtarin e UDB-së, Januz Loshin i cili mori pjesë në arrestimin e tij.

“Jam arrestuar më 9 korrik… Kam qenë në provimin e parafundit, pas dy ditëve e kisha provimin me diplomu. Duke shkuar në shtëpi në autobusin për Skenderaj më kanë prit dhe më morën me vete. Më arrestuan në stacionin e autobusëve ku ndalen udhëtarët. Ishte Januz Loshi, i cili kishte ardhur me një veturë dhe policinë”, tha ai, në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.

Gashi pohoi se Januz Loshi ishte pjesëtar i UDB-së, por që nga ai nuk kishte përjetuar tortura.

Me tu arrestuar, Gashi ishte dërguar në Burgun e Mitrovicës, ku ishte pritur nga pjesëtari tjetër i UDB-së, Asllan Sllamniku, i cili sipas tij ishte përgjegjës për grupin ku bënte pjesë edhe ai.

Ai tha se Sllamniku përdorte dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve politikë shqiptarë.

“Më ka çu në Mitrovicë. Aty më ka prit Asllan Sllamniku… Ai ka qenë përgjegjës për grupin tonë. Ashtu është prezantu dhe ashtu ka dalë, nga përpjekjet e tij dhe torturat çnjerëzore. Asllan Sllamnikun e kisha klasifiku në grupin që e ka ditë që po mendon detyrën mirë, por e ka kry në mënyrë shtazarake, çnjerëzore, edhe qëllimin e ka pas të tillë”, tha ai.

Ai tutje tregoi edhe për mënyrën se si torturonte Asllam Sllamniku.

“Asllan Sllamniku menjëherë filloi marrjen në pyetje, më 11 mars ku ke qenë. Më tha ‘a ke qenë në demonstrata? I thashë, po. Tha:’Kush i ka organizu?’. I thash ne disa studentë e kem organizu 11 marsin. Filloi menjëherë, na e shau nënën. Tha: ‘Kush ju ka mobilizu?’ Bëri torturë sa ia murr mendja dhe po më thotë: ‘A e njeh Gani Kocin?’ I thashë, po e njoh. Tha: ‘Me qet pendrek me ja msy murit e thej, kapak – kapak’. Tha: ‘Ja është mundu me i qëndru Gani Koci këti pendreku, ja s’del kush’. Tha: ‘Vetëm je tu e llomit veten’. I thashë, kemi organizu demonstratat. Tha: ‘Duhet me tregu kush’. Vazhdoi dhunën me shuplaka fytyrës dhe shkop duarve”, tha ai.

Po ashtu, ai foli edhe për një moment tjetër kur sipas tij pjesëtari i UDB-së, Nexhmedin Ajeti kishte hyrë në dhomën ku po merrej në pyetje nga Asllan Sllamniku, dhe e kishte goditur Gashin me grusht në fytyrë.

“Një moment, të nesërmen apo të pasnesërmen, isha duke folë me të, në këmbë isha. Ndërkohë ka hy një UDB-ash i Mitrovicës Nexhmedin Ajeti. As që e prita prej tij, vetëm erdh e më goditi. Isha duke fol me Asllanin ai më goditi me grusht fytyrës më gjuajti. Ai eci e dul. S’e kam parë më, por e kam marrë vesh. Ka vazhdu katër – pesë herë dhuna me Asllanin, më s’jam marrë në pyetje. Deklarata ime s’ka ndryshu”, tha ai. /Dukagjini/