Site icon Telegrafi

Ish-bordi i Postës së Kosovës kërkon anulimin e vendimit të qeverisë për shkarkim

Ish-bordi i drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Posta e Kosovës”, ka paditur Qeverinë në detyrë të Kosovës, lidhur me vendimin e marrë nga kjo e fundit për shkarkimin e këtij bordi.

Ish-anëtarët e bordit, Halit Isufi, Hysen Fazliu, Rushan Ceka, Zelfija Pllana, Nuhi Provoliu, Ylber Zabergja, të cilët i përfaqëson avokati Meshari Selimaj, të martën, kanë dorëzuar padinë e tyre në Departamentin për Çështje Administrative, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas padisë së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, anëtarët e ish-bordit të lartpërmendur po kërkojnë anulimin e aktit administrativ të nxjerrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës më 2 prill të këtij viti, me anë të së cilit kishte shkarkuar këtë bord, ndërsa më pas kishte emëruar një bord të përkohshëm të ndërmarrjes në fjalë.

Sipas padisë, Qeveria në detyrë e Kosovës aktit administrativ në fjalë i është referuar Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Ndërmarrjet Publike me ndryshimet e tij dhe Raportin e Auditimit për Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës” për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018.

Mirëpo, sipas paditësve vendimi i qeverisë është i pabazuar, për shkak të shkeljeve thelbësore të Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative dhe legjislacionit kompetent për ndërmarrjet publike në Kosovë, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

Lexo po ashtu Hajdari: Shkarkimet në Postë sipas ligjit dhe për të ndaluar degradimin e ndërmarrjes

“E paditura nuk ka arritur që të arsyetojë vendimin e saj por ka vendosur në bazë të propozimit të ministres MEPTINIS të 26.02.2020, e që kjo e fundit në tërësi ka paraqitur fakte të pavërteta lidhur me punën e bordit në fjalë. Për të cilën kemi bindjen e plotë se një vendimi i tillë është në tërësi politik dhe kundërligjor”, thuhet në padi.

Tutje, në padit thuhet se e qeveria në detyrë ka qenë e obliguar që të shtjellojë dhe të qartësoj të gjitha argumentet bindëse në bazë të së cilave ka marrë një vendim të tillë, ashtu që edhe në këtë pikë veprimet e tilla e bëjnë gjithashtu të kundërligjshëm një vendim të tillë, dhe se e paditura nuk ka arsyetuar se cilat prova i ka marrë si të vërtetuara dhe cilat si të pavërtetuar.

Në padi thuhet se anëtarët e bordit, Zelfije Pllana, Nuhi Provoliu dhe Ylber Zabergja për herë të parë janë emëruar më 18 qershor 2019, ndërsa sipas vendimit të Qeverisë në detyrë për shkarkimin e bordit në fjalë janë thirrur në Raportin e Audimitimit për Ndërmarrje Publike “Posta e Kosovës”, për vitin financiar të përfunduar më 21 dhjetor 2018 dhe në këtë mënyrë thuhet se Qeveria në detyrë i ka shkarkuar këta anëtarë të bordit, duke mos qenë fare anëtarë për periudhën për të cilën i ka shkarkuar.

Paditësit pretendojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është marrë edhe me zbatim të gabuar të ligjit material apo të legjislacionit kompetent për Ndërmarrjet Publike në Republikën e Kosovës, dhe kjo, sipas padisë, vërtetohet nga fakti se e paditura një vendim të tillë e ka nxjerrë në kundërshtim me nenin 17 të Ligjit për Ndërmarrje Publike, e cila në paragrafin e parë përcakton se, “Një person ka të drejtë të shërbejë si drejtor vetëm nëse i plotëson të gjitha kushtet më poshtë si dhe kushtet për pavarësi dhe përshtatshmëri profesionale nga paragrafët 2 dhe 3”.

Andaj, sipas padisë, paditësit po kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të nxjerrë aktgjykim me anë të së cilës do të aprovohej kërkesëpadia, të anulohet vendimi i 2 prillit 2020 i Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës dhe të detyrohet e paditura që paditësit t’i kthejë në pozitat e mëparshme dhe t’ia kompensojë pagat e tyre, duke filluar nga dita e shkarkimit të të njëjtëve e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. /Telegrafi/

Exit mobile version