Site icon Telegrafi

Ish-bankieri i Intesa Sanpaolo akuzohet për hakimin e 3,500 llogarive, përfshirë atë të kryeministres italiane Meloni

Një ish-punonjës i Intesa Sanpaolo ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe të përsëritur në llogaritë e kryeministres italian, politikanëve të shumtë dhe oficerëve të zbatimit të ligjit, thanë autoritetet italiane.

Ish-punonjësi i një banke të madhe italiane është akuzuar se ka fituar vazhdimisht qasje të paautorizuar në llogaritë bankare të rreth 3,500 individëve, duke i tërhequr të dhënat rreth 6,000 herë, transmeton Telegrafi.

Llogaritë e kryeministres Giorgia Meloni dhe motrës së saj Arianna janë ndër ato që dyshohet se janë hakuar, siç janë ato të shumë figurave të njohura politike italiane, si presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, Ministrja e Turizmit dhe Çështjeve Evropiane, Daniela Santanchè dhe Komisioneri Evropian italian, Roberto Fitto.

Krahas politikanëve të nivelit të lartë, lista e llogarive të manipuluara përfshin atë të Giovanni Melillo, prokurorit të Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizmit dhe disa oficerë të karabinierëve dhe policisë financiare të Italisë, Guardia di Finanza.

Ish-bankieri i Intesa Sanpaolo, Vincenzo Coviello, tani është regjistruar në regjistrin e të dyshuarve të Prokurorisë të Barit dhe policia kontrolloi shtëpinë dhe zyrën e tij personale të enjten, duke sekuestruar telefona, tablet, hard disk dhe pajisje kompjuterike për analiza.

Qasja e pazakontë e bërë në llogaritë e Intesa-s, u zbulua gjatë procedurave rutinë të kontrollit të log-it, sipas bankës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version