Telegrafi

Ish-avokati komunal po kërkon 1 milion euro kompensim për shpifje nga Pal Lekaj dhe Komuna e Gjakovës

Foto: Arkiv

Ish-përfaqësuesi i Komunës së Gjakovës, ish-noteri dhe tani avokati, Shaqir Vula, përmes padisë për shpifje që ka ushtruar ndaj ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj dhe Komunës së Gjakovës, është duke kërkuar kompensim dëmi në vlerë prej 1 milion euro.

Për këtë kërkesëpadi që është ushtruar në vitin 2009, Gjykata në Gjakovë në vitin 2016, kishte marrë aktgjykim me anë të së cilit e kishte refuzuar në tërësi si të pabazuar, mirëpo Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti e ka kthyer këtë rast në rigjykim dhe vendosje.

Në aktvendimin e Apelit që e ka kthyer në rigjykim këtë rast thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se në këtë rast, gjykata fillimisht është dashur të lëshohet në lejueshmërinë e kërkesëpadisë para se të vendos në mënyrë meritore për këtë rast.

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të mërkurën filloi rigjykimi, ku palët kanë dhënë deklarimet e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paditësi Vula tha se qëndron prapa parashtrimeve që ka dhënë deri më tani.

Ndërsa, i autorizuari i Pal Lekajt, avokati Meshar Selimaj ka kërkuar nga gjykata që kërkesëpadinë e paditësit ta hudh poshtë si të palejuar në kuptim të nenit 17, paragrafi 1 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes dhe në bazë të nenit 391, paragrafi 1 pika f e LPK-së.

Sipas avokatit Selimaj paditësi fillimisht ka qenë i obliguar që para parashtrimit të padisë të kërkojë zbutjen e dëmit dhe se Lekaj në deklarimin e tij vetëm i ka treguar arsyet e ndërprerjes së punës së paditësit dhe se nuk ka plasuar akuza direkte me qëllim denigrimi apo dëmtim të imazhit.