Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu ka thënë se nuk është e detyrueshme shpërndarja e Kuvendit pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë si në rastin e Qeverisë Kurti.
Kryeziu në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se vetëm në tri raste kushtetuta e detyron shkuarjen e vendit në zgjedhje.
“Në rastin e parë Kuvendi shpërndahet nëse kandidati për kryeministër nuk mund ta formojë qeverinë brenda 60 ditëve. E dyta është nëse Presidenti nuk mund të zgjidhet brenda 60 ditëve [pasi i kaluar mandati presidentit paraprak]. E trata Kuvendi shpërndahet kur për këtë veprim votojnë 2/3 e deputetëve”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thotë se shpërndarja e Kuvendit nuk është e detyrueshme pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit.
Kryeziu thotë se nocionet mocion destruktiv dhe konstruktiv nuk parashihen në Kushtetutën e Kosovës.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thotë se brenda mandatit katër vjeçar një Kuvend mund të zgjedh edhe pesë qeveri.
Ai thotë se ka pasur raste kur ka ndodhur që në Kosovë brenda një mandati Kuvendi të zgjedh më shumë se dy qeveri.
“Kur ka dhënë dorëheqje Ramush Haradinaj është zgjedhur kryeministër, Bajram Kosumi e më pas edhe Agim Çeku”, tha ndër të tjera Kadri Kryeziu./Telegrafi/